FSHF deklarohet rreth incidentit në ndeshjen kundër Polonisë

Ndeshja e fundit e muajit tetor për Kombëtaren e Shqipërisë ishte ajo kundër Polonisë, në të cilën “Kuq e Zinjtë” pësuan humbje me rezultat minimal 1:0.
Gjatë ndeshjes kishte edhe incidente nga ana e tifozëve shqiptar, ku filluan të hedhin gjësende drejt golashënuesit Karol Swiderski, gjë kjo që bëri që ndeshja të ndërpritet për 12 minuta.
Raportohet se ky akt nuk e paraqet Shqipërinë mirë në shtëpinë e UEFA-s, pasi që prej muajsh janë në bisedime për aspektin e sigurisë në stadiume, ku edhe do të zhvillohet finalja e këtij sezoni 2021/22 të UEFA Conference League.
Me këtë rast, ka reaguar Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), e cila përmes një deklarate të lëshuar për media nuk ka fajësuar tifozët për aktin e ndeshjes me Poloninë, pasi që pas atij akti qëndrojnë vetëm disa individë të caktuar.
“Ne jemi të vetëdijshëm se incidentet e të martës në mbrëmje nuk na nderojnë. Duhet të nxjerrim të gjithë mësime për sa na përket si organizatorë. Kishim 22 mijë tifozë të shkëlqyer dhe vetëm dhjetëra individë na njollosin gjithçka të mirë që skuadra ka bërë deri më tani.Një gjë është shumë e qartë: Ne nuk kemi tifozë të dhunshëm, nuk kemi një historik të tifozëve problematik, përkundrazi sjellja e shkëlqyer dhe mbështetja që tifozët tanë japin në ndeshjet dhe jashtë fushe është bërë objekt krenarie për ne”, thuhet nga FSHF.
Po ashtu, e njëjta ka fajësuar tifozët polak për incidentin e së martës, pasi që këta të fundit në vazhdimësi kanë provokuar publikun shqiptar.
“Ngjarjet e djeshme janë pasojë e një provokimi të vazhdueshëm, dhe një sjelljeje shumë agresive nga ana e tifozëve polak që kanë goditur për gati 2 orë tifozët tanë në dy tribuna. Tifozët polak njihen për të tilla sjellje dhe prej ditësh të gjithë autoritetet e përfshira në ndeshje kanë bërë maksimumin për të parandaluar ngjarje më të rënda”, thuhej më tej.
Federata Shqiptare e Futbollit ishte duke punuar prej muajsh me UEFA-n në lidhje me një aktivitet të rëndësishëm përsa i përket sigurisë në stadiume, edhe në kuadër të finales së Conference League që do të organizojmë në 25 maj 2022. Pas ngjarjeve në ndeshjen me Poloninë ky aktivitet bëhet edhe më emergjent, në mënyrë që të gjithë aktorët dhe faktorët e përfshirë në të tilla çështje të bëjmë më të mirën për organizimin e një ndeshjeje.
Ekspertët e UEFA-s do të jenë këtu për të ndjekur disa ndeshje të Abissnet Superiores dhe kryesisht derbit ku ka prani më të madhe tifozësh, për të strukturuar në mënyrë perfekte organizimin për të tilla ndeshje./21Media

Back to top button