FSHF përjashton nga garat për pesë sezone tri skuadra
Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në Federatën Shqiptare të Futbollit ka vendosur ditën e sotme përjashtimin për pesë sezone të tre klubeve të Kategorisë së Dytë, konkretisht Bulqiza, Gramshi dhe FC Internacional Tirana dhe dënimin me dy vite të zyrtarit të ndeshjes Bulqiza-Veleçiku, Memet Koçi, për dështim në raportimin e shkeljeve të Kodit të Etikës.
Ky vendim vjen pas hetimit të nisur më datë 27 prill 2022 në lidhje me dyshimet e arsyeshme për paracaktim rezultati në ndeshjet FC Bulqiza- KSSH Veleçiku, Oriku-KF Gramshi dhe FC Internacional Tirana-Luzi 2008.
Pas marrjes së informacionit të nevojshëm dhe pyetjen e aktorëve të përfshirë në këto ndeshje, Komisioni i Disiplinës dhe Etikës gjeti se kishte elementë të paracaktimit të rezultateve sportive, gjë e cila është në kundërshtim me parimet e fair-play-t dhe integritetit të garës.