Kaloni te përmbajtja kryesore

​Panairi i Librit hap dyert në Prishtinë, mesazh për më shumë lexues

Organizatori i Panairit të Librit në Prishtinë, Edon Zeneli, tha se edicioni i 26-të ka mbledhur mbi 60 ekspozues dhe rreth 75 deri në 80 botues nga Kosova, Shqipëria dhe rajoni.

Në një prononcim për kp, Zeneli u shpreh se Panairi i Librit në Prishtinë, së bashku me atë të Tiranës, mbeten dy ngjarjet kryesore të librit në hapësirën shqiptare.

“Në edicionin e 26-të të Panairit të Librit të Prishtinës janë mbi 60 ekspozues pjesëmarrës, të cilët ngërthejnë rreth 75 deri në 80 botues. Krahas panairit të Tiranës, këto janë dy panairet kryesore për nga numri i botuesve dhe vizitueshmëria e lexuesve”, tha Zeneli.

Ai tha se në panair janë të përfaqësuar qindra autorë me veprat e tyre, ndërsa gjatë pesë ditëve do të organizohen mbi 40 promovime librash dhe dhjetëra aktivitete të tjera.

“Shtëpitë botuese kanë sjellë qindra autorë dhe tituj të ndryshëm. Përveç mbi 40 promovimeve, autorët do të takohen nga afër me lexuesit në stenda të ndryshme. Të gjitha aktivitetet kanë për qëllim nxitjen e leximit dhe promovimin e librit”, u shpreh Zeneli.

Poetja dhe botuesja shqiptare Rita Petro e ka vlerësuar organizimin e Panairit të Librit në Prishtinë, duke theksuar se ngjarje të tilla janë të rëndësishme jo vetëm për shitjen e librave, por edhe për komunikimin mes autorëve, botuesve dhe lexuesve.

Petro tha se organizatorët tashmë kanë krijuar përvojë të mjaftueshme në organizimin e panairit, por sipas saj mbetet e nevojshëm krijimi i një hapësire më moderne dhe me kushte më të mira për librin.

“Ka vite që bëhet panairi i Prishtinës, kështu që organizatorët patjetër që kanë një eksperiencë. I vetmi problem është që duhet një godinë më e mirë, më moderne, me kushte më të mira dhe një hapësirë më e madhe për librin. Libri e meriton një paraqitje më dinjitoze. Panairet janë festa të librit. Nuk është problemi vetëm se sa libra shesin botuesit, por takimet e autorëve me lexuesit dhe sugjerimet që ata japin. Shpesh ne si botues i dëgjojmë këto sugjerime dhe ato ndikojnë edhe në botimet tona”, u shpreh ajo.

Ajo foli edhe për pozitën e poezisë në tregun e librit, duke thënë se kjo gjini letrare tradicionalisht ka një numër më të kufizuar lexuesish krahasuar me romanin dhe zhanret e tjera narrative.

“Mua patjetër poezia, duke qenë se tani kam marrë dhe titullin e poetes laureate dhe po bëjmë shumë aktivitete me poezinë dhe që mundohemi të zbulojmë edhe talentet e reja. Poezia mund ta ketë shitjen shumë më të ngadaltë ose shumë më pak të interesuar, por kam vënë re që kur i pëlqejnë vërtet poezitë, ka disa lexues të cilët duan librin, sepse poezia do një lexues të përqendruar. Këtu në Kosovë kam vënë re edhe një gjë, që ka prirje për librat psikologjikë, ose për librin kulturologjik që bashkohet shkenca me historinë, me politikën dhe kam vënë re që ka interesim goxha të madh për këtë gjë. Poezia është koncentrat. Njerëzit janë më të prirur të lexojnë rrëfime dhe ngjarje. Prandaj poezia gjithmonë ka një lexues më të kufizuar që e pëlqen atë”, tha Petro.

Ndëesa një qytetar i cili kishte ardhur në Panairin e Librit, Fatmir Krasniqi, tha se panairi për të është një festë e veçantë e lexuesve dhe e dijes, të cilën e viziton rregullisht që nga organizimi i edicioneve të para.

“Panairi për mua është edhe festë e librit, edhe festë e lexuesve. Ka tituj të ndryshëm dhe botime me shumë vlerë, por lusim që të ketë sa më shumë lexues. Kjo sepse libri është i pazëvendësueshëm. Sikur dielli që është burim i jetës, edhe libri është burim i dijes”, tha Krasniqi.

Krasniqi bëri thirrje që institucionet të krijojnë një hapësirë të posaçme dhe të përhershme për organizimin e Panairit të Librit në Prishtinë.

Ndërsa Qerim Kadiri nga Rahoveci e vlerësoi organizimin e panairit, duke thënë se edhe këtë vit ai është në nivel. Kadiri tha se më së shumti preferon libra që trajtojnë ngjarje nga e kaluara si dhe romane dhe novela të ndryshme.

“Më tërheqin librat me të kaluarën, pak për shkak të nostalgjisë, por edhe romanet e novelat, varësisht nga autorët që më pëlqejnë.

Leximi është shumë i rëndësishëm. Të rinjtë duhet të lexojnë më shumë dhe t’i lënë pak anash telefonat. Leximi e freskon trurin dhe ndikon pozitivisht edhe në shëndet”, u shpreh Kadiri.

Musa Dollari nga Prishtina e vlerësoi lart organizimin e Panairit të Librit në Prishtinë, duke thënë se edicioni i sivjetëm po zhvillohet në kushte të mira dhe me pjesëmarrje të madhe të botuesve.

“Organizimi që bëhet çdo vit është i mrekullueshëm. Hapësira është e madhe, ka shumë tituj dhe shtëpi botuese, si nga Kosova ashtu edhe nga Shqipëria. Jemi shumë të kënaqur”, tha Dollari, sot u furnizova me disa libra, romane, libra historikë, psikologjikë e të tjerë”, u shpreh ai

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button