​FSK nis operacionet e deminimit

Kompania e Deminimit e Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ka filluar operacionin e deminimit humanitar për pastrimin e fushave të minuara dhe fushëbetejave, duke u bazuar në planifikimet për 2024. Komandanti i Gardës Kombëtare, gjeneralbrigade Naim Haziri së bashku me komandantin e Regjimentit të Mbrojtjes Civile, nënkolonel Gezim Sada dhe zëvendës komandanti i KDS-së, kolonel Ilir Shyti vizituan ekipet e EOD-së, në Parkun e Lirisë në Ferizaj për të parë nga afër mbarëvajtjen e operacionit.

Gjatë këtij viti, njësitë e deminimit do të jenë të angazhuara në pastrimin e tri lokacioneve në territorin e Kosovës: fshatin Muradem, majën e Cvilenit në zonën e Prizrenit dhe Parkun e Lirisë në Ferizaj, gjithashtu do të ofrojnë kujdestari 24/7 për largimin e mjeteve të pashpërthyera që mund të hasen nga qytetarët.

Pjesëtarët e FSK-së trajnohen profesionalisht me qëllim që të jenë sa më të përgatitur për t’u dalë në ndihmë qytetarëve me të gjitha kapacitetet kurdo dhe kudo që kërkohet.

Show More
Back to top button