Ftesa e Giresse e motivon Rrahmanin të vazhdojë me gola në Superligë

Pjesë e stërvitjes së sotme të Kombëtares së Kosovës para ndeshjes me Izraelin ishte edhe sulmuesi i Ballkanit, Albion Rrahmani.

“Dardanët” zhvilluan sot stërvitjen e fundit para nisjes për në Izrael, ku edhe do ta nisin ciklin kualifikues të Kampionatit Evropian Euro 2024.

“Lewandowski i Ballkanit” tregoi se çfarë ndjenje është të jesh pjesë e kombëtares, ndërsa u shpreh edhe optimistë në fitore ndaj Izraelit.

“Është një ndjenjë e veçantë të jesh pjesë e Kombëtares së Kosovës. Unë këtu jam lindur dhe rritur si futbollist. Shpresoj ta ndihmojë ekipin në objektivat e tij dhe të kualifikohemi në Euro 2024. Izraeli? Besoj në rezultat pozitiv, pasi kemi një grup shumë të mirë të lojtarëve dhe të gjithë janë në ecuri të mirë në klubet e tyre. Shpresoj ta dëshmojnë këtë edhe në ekipin kombëtar dhe pse jo të arkëtojmë tri pikë atje”, tha Rrahmani.

Po ashtu, Rrahmani tha se është privilegj të jetë përfaqësuesi i Superligës së Kosovës në kombëtare, duke marrë parasysh se është lojtari i vetëm i ftuar në grumbullim nga kampionati vendor.

Më tej, Rrahmani se ftesa e trajnerit Alain Giresse i ka dhënë atij motiv për të vazhduar me gola në Superligë.

“Përfaqësues i Superligës në kombëtare? Patjetër është një privilegj. Zgjedhja e trajnerit Alain Giresse më ka dhënë motiv jashtëzakonisht shumë që të vazhdojë me gola në Superligë. Por, fillimisht shpresoj të nxjerrim rezultate pozitive me kombëtaren e pastaj të vazhdojë me përmbushjen e objektivave me klubin”, tha Rrahmani.

Ekspedita e Kombëtares së Kosovës do të niset për në Izrael, të premten, në orët e mëngjesit, derisa në Tel-Aviv do ta zhvillojë stërvitjen e fundit para duelit të parë në këto kualifikime.

Back to top button