GAP publikon analizën e investimeve PPP: Në Kosovë aktualisht janë vetëm pesë projekte aktive

Instituti GAP sot gjatë ditës ka publikuar analizën “Investimet përmes Partneritetit Publiko-Privat (PPP) në Kosovë dhe rruga përpara”.

Kjo u bë e ditur përmes një komunikate për media ku thuhet se në Kosovë, aktualisht janë vetëm pesë projekte aktive si PPP (tri në fazë të operimit), vlera e planifikuar investive e të cilave është gjithsej 133 milionë euro. Kjo shumë, nëse analizohet si përqindje e Bruto Produktit Vendor (BPV), është rreth 1.37%, e që është shumë më e ulët krahasuar me vendet e rajonit. Nga projektet aktive, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” është projekti më i madh, me vlerë prej mbi 100 milionë euro investime të planfikuara, dhe mbi 143 milionë euro të hyra për shtetin e Kosovës deri në vitin 2023 nga tarifa koncesionare e këtij projekti.

“Aktualisht, në Departamentin për PPP në kuadër të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve janë 23 kërkesa aktive për të filluar partneritete publiko-private në proces të shqyrtimit, ku numri më i madh i tyre është nga komunat. Nga aspekti ligjor, PPP-të në Kosovë janë të rregulluara me Ligjin për partneritetet publiko-private të miratuar në vitin 2011. Megjithatë, një projektligj i ri për PPP-të është finalizuar në vitin 2019, mirëpo ka mbetur pa u dërguar në Kuvend. Ky projektligj ka për qëllim të lehtësojë procedurat burokratike për PPP-të si dhe të harmonizojë legjislacionin me atë të BE-së”, thuhet në komunikatë për media.

Tutje bëhet e ditur se numri i projekteve PPP është i vogël në Kosovë.

“Ndonëse numri i projekteteve me PPP është i vogël në Kosovë, ka një potencial në sektorë të caktuar për zhvillimin e partneriteteve të tilla. Në sektorin e minierave, investimet do të ndihmonin në kërkimin, zhvillimin dhe shfrytëzimin e burimeve minerare, ndërsa në sektorin e energjisë së ripërtëritshme, do të kontribuonin në diversifikimin e burimeve të energjisë, kështu duke e përmirësuar sigurinë e furnizimit dhe reduktuar varësinë nga burimet tradicionale të prodhimit si qymyri. Lidhur me këto, Instituti GAP ndër të tjera, rekomandon që të bëhet shqyrtimi dhe aprovimi i projektligjit të ri për PPP-të në Kuvend, identifikimi i aseteve strategjike të vendit që kanë potencial për investime përmes PPP, orientimi i PPP-ve drejt burimeve të ripërtëritshme për prodhimin e energjisë, etj. Por, njëkohësisht me këto, do të duhej të bëhej edhe forcimi i mekanizmave mbikëqyrës të PPP dhe rritja e transparencës, në mënyrë që të arrihet ndikimi i synuar”, thuhet tutje në komunikatën për media.

Analizën e plotë mund ta gjeni këtu./21Media

Back to top button