GAP thotë s’ka rritje ekonomike nga taksa 100%

A rrezikohet marrëveshja e CEFTËS

Instituti GAP në një konferencë për media ka prezantuar analizën “Taksa 100%: a po e ndihmon apo dëmton ekonominë e Kosovës?”, ku u tha se nuk i ka sjellë përfitime Kosovës.

Berat Thaqi nga instituti GAP, tha se në dy muajt e fundit kanë analizuar efektet ekonomike nga taksa, ku nuk kanë vërejtur rritje të ekonomisë së vendit.

“Kjo taksë e vendosur në nëntor nuk është hartuar mirë. Nuk kemi parë ndonjë përfitim të vendit. Ne e kemi shikuar edhe atë se a rrezikohet marrëveshja e CEFTËS, dhe a ka mundësi Serbia të padis Kosovën. Kosova nuk e ka shkelur marrëveshjen e CEFTËS, sepse Serbia me themelimin e ushtrisë e ka kërcënuar Kosovën me luftë. Taksa nuk e ka ndihmuar rritjen e prodhimit vendor. Tek çmimet e prodhimeve e konsumit dhe pijeve kemi pasur rritje të shpejtuar. Me hyrjen në fuqi të taksës, shumë biznese i kanë rritur çmimet”, tha ai.

Ai po ashtu tha se Kosova duhet të kërkojë negocimin e marrëveshjes së CEFTA-s.

Ndërkaq, Blend Hyseni tha se shumica e kontrabandës me produktet nga vendet për të cilat është vendosur tarifa, po bëhet përmes vendeve të rajonit.

“Importi i përgjithshëm ka vazhduar të rritet. Vazhdojnë dyshimet se prodhimet e Bosnjës dhe Serbisë po vazhdojnë të hyjnë në Kosovë përmes vendeve rajonale. Nuk ka pasur një efekt në eksporte”, tha Hyseni.

Pas fushatës së Serbisë për mos anëtarësimin e Kosovës në Interpol, Kosova ka vendosur masën 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës më 21 nëntor, ndërsa më 28 dhjetor të vitit 2018, kjo taksë ka hyrë në fuqi edhe për brendet ndërkombëtare që importohen nga këto dy shtete.

Back to top button