Gastronomët- Qeverisë: Bëhuni gati të korrni atë që mbollët

 
Gastronomët e Kosovës janë të pakënaqur me vazhdimin e kufizimit të aktivitetit të tyre nga ana e qeverisë së Kosovës, si pjesë e masave të parandalimit të koronavirusit.
Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi ka reaguar duke thënë se që 18 muaj janë të poshtëruar dhe të shkelur.
Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës dhe institucionet relevante, për asnjë moment të vetëm nuk e përkrahën digasterin e gastronomisë në mbijetesën e tyre. “Megjithatë, pa fije turpi ulë në kafiteri dhe restaurante dhe presin shërbimet e tyre. Nuk e di se si atyre u shijon kafeja që shërbehet nga një kamarier, i cili tash e sa kohë e merr rrogën me zbritje!”, ka thënë Kllokoqi.
Ai tutje ka thënë se gastronomët asnjëherë nuk u falënderuan përkundër që ata u mobilizuan së tepërmi në fushatën e vaksinimit. “Ishim ne, Shoqata e Gastronomëve, ata që ndihmuam me fushatat tona, në vaksinimin rekord dhe pas gjithë kësaj, si na falënderoni JU?! Na keni mbyllur, na keni poshtëruar, na keni nëpërkëmbur dhe në fund na keni dënuar, pa mbarim. Në çdo vend të botës, vaksinimi nënkupton funksionim të lirë të jetës, përveç në Kosovë, ku vaksinimi nuk nënkupton ASGJË, ama bash ASGJË!”, ka thënë Kllokoqi.
Kllokoqi tutje ka thënë se siç duket nuk ka mbetur edhe gjatë që gastronomia të shuhet si fushë ekonomike.
“Nejse, nuk ka mbetur edhe gjatë siç duket, që gastronomia të shuhet si fushë ekonomike dhe atëherë hiperinflacioni ekonomik do të jetë problem më i madh, sesa vet virusi, ndaj të cilit asnjëherë nuk fituat! Bëhuni gati ta korrni atë që mbollët!”, ka shkruar Kllokoqi në Facebook./21Media

Back to top button