“Gazeta zyrtare” e publikon vendimin për Xhaferin

Në numrin më të ri të “Gazetës Zyrtare” u publikua vendimi i zgjedhjes së Talat Xhaferit për kryetar të Kuvendit

Shërbimet parlamentare e dorëzuan shkresën më 2 maj me nënshkrimin e Goran Misovskit në cilësinë e zëvendës-kryesuesit të seancës konstituive.

Hapi i ardhshëm është që brenda 10 ditëve, kryetari i shtetit Gjorgje Ivanov t’ia dorëzojë shumicës parlamentare mandatin për formimin e kabinetit të ri qeveritar.

Për këtë arsye, edhe kryetari i ri i Kuvendit e njoftoi me letër Ivanovin se janë plotësuar të gjitha kushtet për dhënien e mandatit. Nga kabineti i Ivanovit u përgjigjën se kryetari i shtetit do të veprojë në pajtim me kushtetutën dhe me praktikën e vendosur. Por më 1 maj, pas takimit me zyrtarin e lartë amerikan Hoj Ji, nga kabineti i Ivanovit përsëri përmendën garancinë për ruajtjen e karakterit unitar dhe të pavarësisë së Maqedonisë, shkruan TV21.TV

“Kryetari Ivanov kërkon nga lideri i LSDM-së t’i qëndrojë fjalës së shprehur publikisht se “bashkë me partnerët e koalicionit do të vijnë dhe do të ofrojnë garanci për përforcimin e unitarizmit të shtetit dhe se gjithçka do të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë”, nga kabineti i Ivanovit.

Zoran Zaev pohon se këto garanci i ofron programi i tij qeverisës.

“E siguroj karakterin unitar të shtetit, sovranitetin dhe veçantinë e Republikës së Maqedonisë. 10 vite luftuam me një regjim autokratik dhe tani ndodhemi në prag të lirisë, demokracisë dhe perspektivës evropiane”, tha Zoran Zaev, Lider i LSDM.

Sipas dhënësit të LSDM-së Petre Shilegov, kësaj here pritet që Ivanov të veprojë në bazë të Kushtetutës.

“Një ditë më parë që dorëzohet mandati, është një ditë më mirë për Republikën e Maqedonisë”, tha Shilegov.

Nga VMRO-DPMNE edhe më tej vazhdojnë që zgjedhjen e Xhaferi për kryeparlamentar ta konsiderojnë si jolegjtime. Në lidhje me mandatin, nga kjo parti vendosën të mos komentojnë.

“Në lidhje me qëndrimet e kryetarit Ivanov, do t’ju kisha lutur që t’i drejtoheshit kabinetit të tij”, tha Dragan Danev, nga VMRO-DPMNE.

Nga formimi i qeverisë varet edhe vendimi për zgjedhjet lokale në Maqedoni të cilat u shtynë për shkak të krizës politike. Nesër pritet që Gjykata Kushtetuese të vendosë në lidhje me kërkesën për ndryshmin e disa neneve të Ligjit të vetëqeverisjes lokale dhe për zgjedhje. Sipas liderit të LSDM-së Zoran Zaev, për datën se kur duhet të mbahen zgjedhjet lokale duhet të vendosin të gjitha partitë politike, ndërsa siç deklaroi vetë, me gjasë ato do të mbahen pas pushimeve verore./21Media

 

Artikuj të ngjashëm

Back to top button
close button