“Gërvalla e Konjufca nënat i kanë nga Shkupi”, Kurti: Mezi presim pikat e përbashkëta kufitare me Maqedoninë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në konferencën e tij të përbashkët me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski tha se mezi po pret vënien në funksion të pikave të përbashkëta kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, shkruan TV21.
Kurti tha se pjesë tjetër e rëndësishme në qarkullimin e qytetarëve të dy vendeve është edhe autostrada Shkup-Bllacë.
“Mezi presim që të operacionalizohen pikat e përbashkëta kufitare, sidomos kjo në Hanin e Elezit e në Bllacë, të cilat do të lehtësojnë qarkullimin edhe ashtu në rritje të qytetarëve tanë. Ne të gjithë e dimë se kemi shumë familje e farefis në të dy anët e kufirit, madje edhe zëvendësja ime, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla Shvarc vjen nga Shkupi si vendlindje, edhe nëna e saj është nga Shkupi, siç është edhe nëna e kryeparlamentarit Glauk Konjufca…dhe jemi të interesuar, siç e tha edhe kryeministri Mickoski, që të kemi sa më shumë qarkullim të lirë mes qytetarëve, dhe për këtë pa dyshim që kjo rruga e cila e lidh kufirin e Kosovës me Shkupin , kur të rregullohet e të lëshohet në përdorim, do të ndihmojë jashtëzakonisht shumë”, tha Kurti./tv21.tv