Gërvalla: Kemi dallime me Osmanin, s’është nevoja të pajtohemi 100%

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, thotë se raportet me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani janë të mira, pavarësisht mos koordinimit rreth letrës në Këshill të Evropës.
Sipas saj, mund të ketë dallime me presidenten Osmani, pasi siç konsideron nuk ka nevojë që gjithmonë krerët e shtetit të pajtohen 100 për qind për të gjitha temat. Megjithatë ajo thekson se të gjitha dallimet janë të tejkalueshme dhe se një gjë e tillë është normale për një vend demokratik.
Gërvalla thotë se mos koordinimi me Osmanin për letrën e dërguar në Këshill të Evropës, pak kohë para mbledhjes së Komitetit të Ministrave, është bërë për shkaqe objektive dhe brenda një periudhe shumë të shkurtër, në mënyrë që të shfrytëzohet mundësia e fundit për anëtarësim në Këshill të Evropës. Sipas saj, për dërgimin e letrës ka pasur koordinim edhe me partnerët ndërkombëtar të Kosovës.
“Ne raportet me presidenten e Republikës gjithnjë i kemi pasur të mira dhe nuk kam asnjë arsyeje të mendoj që ka një ndryshim në raportet tona. Unë jam e mendimit që nuk kemi nevojë gjithmonë të gjithë të pajtohemi 100 për qind për të gjitha temat. Natyrisht se si persona që bartim përgjegjësitë tona në fusha të ndryshme, për procese të ndryshme, nganjëherë kemi edhe mendime të ndryshme, kjo në raport me presidenten, por edhe me institucionet tjera. Mirëpo mendoj që institucionet të përgjegjshme dhe aty ku kemi dallime nganjëherë në qasjen tonë ndaj disa temave, ne gjithmonë e gjejmë një rrugëdalje dhe gjuhë të përbashkët, dhe asnjë arsyeje nuk kam të besoj se në këtë rast do duhej të ishte ndryshme”, tha Gërvalla.