Gërvalla në Kuvajt takoi krerët më të lartë shtetëror

4 min read

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, qëndroi sot për vizitë zyrtare në Kuvajt, ku u takua me krerët më të lartë shtetëror të këtij vendi. Në kuadër të kësaj vizite u nënshkrua edhe memorandumi i mirëkuptimit mes Kosovës dhe Kuvajtit.

Gërvalla takoi Zëvendësemirin, Princin e Kurorës, Mishal Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah, të cilin e falënderoi Zëvendësemirin për mikpritjen e ngrohtë të Kuvajtit dhe mbështetjen e qëndrueshme dhënë Kosovës në konsolidimin e pozitës ndërkombëtare të saj, si dhe ndihmat e dhëna në fusha të ndryshme për zhvillimin e Kosovës.

Duke vënë në pah ambientin e përshtatshëm politik dhe mundësitë që ofron Kosova për investime të bizneseve të shtetit të Kuvajtit, Gërvalla theksoi se Kosova ka një popullsi shumë të re për nga mosha, të edukuar mirë dhe të përgatitur për tregun e punës, gjë që krijon mundësi për zhvillimin e bizneseve.

Shkëlqesia e tij, Zëvendësemiri siguroi vazhdimin e mbështetjes politike dhe ekonomike të Kuvajtit për Kosovën.

Gërvalla e ftoi Shkëlqesinë e tij për të vizituar Kosovën.

Ministrja takoi edhe me kryeministrin e Kuvajtit, Sabah Al-Khalid Al-Sabah. Në takim u bisedua për aspekte të ndryshme të bashkëpunimit politik dhe ekonomik mes Kosovës dhe Kuvajtit. Palët u zotuan për thellimin dhe zgjerimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen.

Më pas Gërvalla takoi ministrin e Punëve të Jashtme të Kuvajtit, Ahmed Nasser Al-Mohammed Al-Sabah. Me këtë rast u nënshkrua edhe një memorandum mirëkuptimi në fushën e diplomacisë.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të memorandumit në Sallën e Divanit të Përgjithshëm, nga të dy palët u theksua rëndësia e këtij memorandumi dhe nevoja e institucionalizimit të mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale.

Gjatë takimit, dhe pas drekës zyrtare, palët u ndalën në bashkëpunimin bilateral në fusha të ndryshme si investimet, ekonomia, tregtia dhe tema të tjera me interes të përbashkët.

Gërvalla pati takim edhe me drejtorin e Përgjithshëm të Fondit të Kuvajtit për Zhvillim Arab Ekonomik, Marwan A. Al-Ghanem.

Në takim u shtjelluan mundësitë e investimeve në fusha të ndryshme të ekonomisë dhe infrastrukturës në Republikën e Kosovës. Me këtë rast palët ranë dakord që të formojnë një grup të përbashkët punues për të identifikuar fushat e mundshme të investimeve dhe pastaj konkretizimin e tyre.

Ndërsa në takim me zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të Odës së Tregtisë dhe Industrisë së Kuvajtit, Abdulwahab Mohammed Al-Wazzan, Gërvalla njoftoi atë me zhvillimet politike në Kosovë, stabilitetin politik dhe atë qeverisës, si dhe fushat e mundshme të investimeve për bizneset kuvajtiane. Ajo vuri po ashtu në pah mundësitë e përshtatshme që ofron Kosova për investime në fusha të ndryshme të ekonomisë, bujqësisë dhe infrastrukturës.

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës sot mbajti para diplomatëve të rinj kuvajtian një ligjëratë, gjatë së cilës i njoftoi ata për rrugën e Kosovës deri në arritjen e pavarësisë së saj si dhe sfidat rreth forcimit të subjektivitetit shtetëror të Kosovës.

Diplomatët e Kuvajtit ajo i njoftoi edhe rreth politikës destruktive dhe aspak fqinjësore që Serbia dhe aleatët e saj vazhdojnë të ndjekin kundër shtetit të Kosovës dhe pavarësisë së tij.

Në fjalën e saj, Gërvalla theksoi faktin që Serbia akoma nuk është e gatshme të ballafaqohet me të kaluarën e saj hegjemoniste dhe gjenocidale ndaj fqinjëve të saj, duke bllokuar kështu proceset rajonale të bashkëpunimit dhe rrugën evropiane të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

“Këtë fakt znj. Gërvalla e ilustroi me ngritjen e para disa ditëve të aeroplanit MIG29 në kufi me Kosovën, destabilizimin e Malit të Zi, paralizimin e Bosnjë Hercegovinës dhe rolit të Kishës ortodokse sebe. Ajo vuri në pah orientimin properëndimor të Kosovës, si dhe theksoi domosdoshmërinë e përkrahjes së miqve dhe partnerëve të Kosovës për njohje të reja dhe anëtarësim në organizata të ndryshme ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

Në kuadër të vizitës zyrtare në Kuvajt, Gërvalla mori pjesë në ceremoninë e dekorimit të tre pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në kampin Arfixhan, të cilët po përmbyllin shërbimin në mision paqësor në Kuvajt.

Majori Mentor Ibrahimi, komandant i Njësisë së FSK-së në Kuvajt, kapiteni Kreshnik Haxhiu, lejtnanti Dhurim Shemsedini si dhe hyjnor Lajqi dhe Mehmet Mehmeti, u dekoruan nga Forca e Përbashkët e Kombinuar (Inherent Resolve) me medaljen “Army Commendation Medal” për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në kuadër forcës shumëkombëshe.

Me këtë rast ministrja theksoi se Kosova përmes këtij misioni dëshmon kontributin e saj për paqen globale përkrah partnerëve të saj strategjik.

“Ky rol që ka marrë Kosova përmes jush është historik, pasi që e vendos republikën tonë përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe partnerëve të tjerë strategjik për të kontribuuar për paqen dhe sigurinë në botë”, u është drejtuar ajo pjesëtarëve të FSK-së, duke kujtuar se ky mision paqeruajtës është realizuar falë ShBA-ve si pjesë e Gardës Kombëtare të Iowas./21Media