​Gërvalla: Në MPJD është vendosur ligjshmëria, ka progres në shërbimin e jashtëm

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se përmes vendosjes së ligjshmërisë është bërë progres në shërbimin e jashtëm të Kosovës.
Në raportimin para Komisionit për Punë të Jashtme të premten, Gërvalla ka thënë se asnjë diplomat nuk është caktuar dhe avancuar me prapavijë politike.
“Vënia e ligjshmërisë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës jo vetëm që ka qenë synim por ka qenë e dukshme për secilin që progresi është bërë…Sa i përket faktit që favorizohen nga ana ime diplomatë që politikisht anojnë kah ne, atëherë me përgjegjësi them se po të kishte qenë ky kriteri atëherë nuk do të kisha avancuar asnjë diplomat. Ju më mirë se unë që kam jetuar 30 vjet në Gjermani, se nga cila parti apo spektër politik vijnë ata njerëz që janë diplomat të Kosovës me një masë të madhe. Asnjëherë në MPJD nuk është kërkuar as lojalitet politik dhe as lojalitet partiak nga asnjë zyrtarë dhe asnjë diplomatë. Gjithmonë kam përsëritur se lojaliteti kërkohet ndaj Kosovës dhe detyrës që ka marrë secili diplomatë. Asnjeri prej tyre nuk është anëtari i partive politike të koalicionit tonë, asnjë i vetëm”, ka thënë ajo.
Mirëpo, deputetët opozitarë u shprehën kritik karshi kryediplomates, siç thanë për politizimin e shërbimit të jashtëm.
Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka thënë se kanë pranuar mbi 40 ankesa nga diplomatë për MPJD-në. Sipas saj disa prej shkarkimeve kanë qenë joligjore.
“Gjitha këto vlerësoj se përbëjnë shkelje ligjore dhe nëse ke ardh të bësh ndryshim pse po lejoni që të ndodhin këto shkelje ligjore në vazhdimësi”, ka thënë ajo.
Kritike u shfaq edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.
“Ka qenë shqetësuese se plotë diplomatë na kanë adresuar në komision për shkarkime at-hoc që është bërë. Kjo nuk është e drejtë dhe etike shkarkimi me një e-mail, pasi ka procedura dhe një diplomat që i ka shërbyer Kosovës, ka procedura dhe duhet të lihet hapësirë kohore”, shtoi ajo.
Në anën tjetër, kryetari i Komisionit, Haki Abazi, pyeti ministren për hapjen e përfaqësimit diplomatik në Pakistan dhe për strategjinë e njohjeve të reja.
“Me 1 shkurt iu kam dërguar një e-mail për hapjen e përfaqësisë diplomatike në Pakistan, a është e përfshirë në buxhetin e vitit të ardhshëm hapja e përfaqësisë të reja. Kemi ngecje në njohjet e reja, por edhe anëtarësimin dhe diskutimin në mekanizmat ndërkombëtar siç është UNESCO, Interpoli dhe të tjera. A keni parapa mekanizëm të analizuar efekti dhe buxhetor, apo angazhim direkt vetëm për anëtarësim në mekanizma ndërkombëtare”, theksoi ai.
Lidhur me njohjet e reja, ministrja Gërvalla ka thënë se kjo çështje është e ndjeshme dhe gjatë këtij viti do të pranonte të diskutonte me komisionit, por me dyer të mbyllura.
Ndërkohë, tha se kanë buxhetuar hapjen e misioneve të reja diplomatike, mirëpo nuk tregoi në cilin shtet.
“Sa i përket misioneve të reja, janë paraparë në buxhet, por pa e specifikuar se cili do të jetë misioni. Por është paraparë një numër sosh, mandje këtë vit për një mision të ri, nuk e di sa është në fazën që të bëhet publik, pasi këto ditë kemi paraqitë kërkesën tek kryeministri për hapjen e një misioni të ri…Sa i përket strategjisë së njohjes unë iu propozova që takohemi edhe një herë gjatë këtij viti dhe të diskutojmë, madje një pjesë edhe jo publike, pasi çështja e njohjeve të reja është temë shumë e ndjeshme”, ka thënë ajo.
Sa i përket pretendimeve të deputetëve opozitarë për hapjen me dhunë të një zyre në MPJD, ministrja Gërvalla, tha se e njëjta ka qenë e një zyrtari që ka qenë në pushim pa pagesë dhe ka refuzuar t’i dorëzojë çelësat e saj.

Back to top button