Gërvalla para darkës me Borrell: Presim diskutime të mira për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE

Shefja e diplomacisë së Kosovës, Donika Gërvalla ka folur sonte para darkës jo formale të organizuar nga shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell me liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në një konferencë për media në Bruksel, e para e diplomacisë kosovare ka treguar se në darkën jo formale do të diskutohet për integrimin sa më të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
“Ne kemi ardhur sot nga Kosova për të marrë pjesë në darkën jo formale që do ta organizojë Borrell me krerët e shteteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ne presim të kemi diskutime të mira për një perspektivë më të mirë dhe më të shpejtë të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian”, ka thënë Gërvalla.
Ajo ka folur edhe për takimin e së premtes në Bruksel ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe për targat.
“Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi do të arrijë këtu pikërisht për të arritur një marrëveshje, sepse dialogu asaj do t’i shërbejë arritjes së marrëveshjes dhe jo takimeve të shpeshta pa rezultate. Ditën e premte vetë zëvendëskryeministri do të jetë këtu dhe do të shohim se çfarë rezultatesh do të kemi. Delegacioni jonë është shumë i gatshëm për të sjellë rezultate në këtë proces të dialogut”, ka thënë Gërvalla.

Back to top button