Gërvalla për aplikimin në KE: Procesin e kemi të shëndetshëm, gëzon përkrahje politike

Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme të Kosovës, tha sot se presin që rasti i Kosovës të mos zgjasë shumë, si shteteve tjera në rajon, për t’u bërë pjesë e Këshillit të Evropës.
Sipas saj, tani Kosova i plotëson më së miri parakushtet e aplikimit.
“Sa i përket procedurës së aplikimit në Këshillin e Evropës, ne kemi filluar procedurën e në maj të këtij viti…Mendoj se jemi në një rrugë shumë të mirë. Që në fillim kemi ditur që aplikimi në Këshillin e Evropës kërkon durim, sepse është vetëm fillimi i një procesi i cili për shtete të ndryshme ka zgjatur me vite të tëra. Ne presim që në rastin e Kosovës të mos zgjasë aq shumë sa ka zgjatur për shtetet e tjera të rajonit. Mendojmë që në këtë stad që ndodhet Kosova, i plotëson më së miri parakushtet sa i përket legjislacionit të të drejtave të njeriut, standardeve demokratike, shtetit ligjor e të tjera”, tha Gërvalla në një konferencë për media.
“Momentalisht presim që pas pushimeve verore, ose më mirë shpresojmë, që të kalohet procedura dhe të fillojnë në asamblenë parlamentare, jemi duke punuar për këtë”, shtoi ajo, shkruan rtv21.tv
Kryediplomatja e Kosovës kërkoi mirëkuptim nga gazetarët, pasi tha se nuk mund të flasë për detaje, pasi ka akter të ndryshëm të cilët janë shumë të interesuar që ta pengojnë Kosovën.
“Ju kërkoj mirëkuptim se nuk kam mundësi të flas më shumë për detaje sepse duhet ta dimë që ka akter të ndryshëm të cilët janë shumë të interesuar që ta pengojnë Kosovën në rrugën e saj drejt Këshillit të Evropës, po ashtu si edhe në rrugën e saj drejt integrimeve ndërkombëtare në përgjithësi”, theksoi ajo.
Gërvalla dha vetëm përshtypjen e saj personale.
“Procesin e kemi të shëndetshëm, procesi gëzon një përkrahje politike nga një numër tejet i madh i shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, qofshin ato njohëse ose jo njohëse”, tha ajo, duke shtuar se shpreson që pas vjeshtës do të mund të bëjnë hapin tjetër të ardhshëm formalisht”, tha Gërvalla.
“Një gjë duhet të jetë e qartë, jemi të përgatitur për këtë proces, kemi përkrahje politike shumë të gjerë dhe mendojmë që ky proces do të finalizohet me sukses”, përfundoi ministrja./21Media

Back to top button