Gërvalla takoi homologun grek: Njohja e Kosovës do të përbënte hap historik

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla u takua sot në Athinë me Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, me ç’rast diskutuan në terma konkret format e bashkëpunimit dypalësh.
Gërvalla, siç informoi ministria, shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të avancuar marrëdhëniet bilaterale me Republikën Helenike, e cila sipas saj është një shtet i rëndësishëm në rajonin e Evropës Juglindore dhe gjithashtu kontribues i rëndësishëm në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.
Ministrja Gërvalla nënvizoi se Kosova e vlerëson Greqinë si një shtet mik dhe partner dhe e çmon për konstruktivitetin në raport me agjendën evropiane dhe procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Siç u potencua, kryediplomatët theksuan rëndësinë e avancimit të mëtejmë të marrëdhënieve ekonomike dhe në veçanti diskutuan lidhur me bashkëpunimin në fushën e energjisë.
“E ardhmja jonë energjetike ngërthen në vete energjinë tradicionale dhe të ripërtrishme. Ne jemi në kontakt me miqtë tanë për opsionet për tranzicionin sfidues në këtë fushë. Ne do të vazhdojmë të jemi në kontakt të ngushtë me Greqinë për detajet dhe për vendimet tona në këtë drejtim”, theksoi Gërvalla.
Gjithashtu ministrja e Jashtme e Kosovës, ripërsëriti aspiratat e Qeverisë dhe qytetarëve të Kosovës për integrim euro-atlantik. Në këtë kontekst përmendi angazhimin e madh të Qeverisë së re në forcimin e sundimit të ligjit si një parakusht për fuqizim dhe demokratizim të mëtejmë të vendit.
Para palës greke, ministrja Gërvalla shpalosi ofertën kosovare sa i përket mundësive të favorshme të të bërit biznes. Një kornizë konkurruese me taksa të ulëta dhe pa burokraci e me një potencial të madh njerëzor për punë profesionale, sipas kryediplomates Gërvalla janë arsye të mira që Kosova të konsiderohet nga investitorët e huaj, të cilët mund të ekspolorojnë mundësi të ndryshme të investimeve direkte.
Ministrja Gërvalla, sipas komunikatës, po ashtu theksoi se njohja dhe respektimi i pavarësisë së Kosovës nga të gjithë anëtarët e Bashkimit Evropian, përfshirë Greqinë, do të ishte një lëvizje e guximshme për stabilitetin në rajon dhe më gjerë, që do të mundësonte hapjen e një dinamike të re në zgjidhjen e problemeve afatgjata në Ballkan.
“Jo vetëm për vendet tona, por më shumë për fëmijët dhe nipërit tanë, kjo do të ishte një premtim për stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në Evropë. Një hap i tillë do të ishte historik dhe mendojmë se është diçka që duhet të bëhet”, shtoi Gërvalla.
Ndërsa, kryediplomati grek Dendias theksoi ndër të tjera se Ballkani Perëndimor duhet të shikojë kah e ardhmja dhe jo nga e kaluara. Sipas Dendias, perspektiva e vendeve të Ballkanit Perëndimor është perspektivë që ka vetëm një rrugë e cila është Evropa. Mbrojtja e parimeve dhe vlerave si demokracia, shteti ligjor dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut, sipas tij, duhet të jenë busullë politike, ekonomike dhe kulturore për vendet e Ballkanit.
“Në takim u diskutua edhe për çështje të politikës së jashtme, çështje evropiane dhe rajonale. Bashkëbiseduesit kishin në fokus edhe nevojën për të zgjeruar formën e bashkëpunimit në fusha të tjera si kultura, shkenca, arsimi dhe shëndetësia.”, u bë e ditur tutje në komunikatë./21Media

Back to top button