Gërvalla takon drejtuesit e JICA-s dhe Bankës Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Tokio

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla ka takuar drejtuesit e JICA-s dhe Bankës Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Tokio.

Kjo u bë e ditur përmes një komunikate për media nga MPJD, ku thuhet se bashkëpunimi i metejshëm në projekte të reja që kanë për synim zhvillimin ekonomik të Kosovës, shkëmbimin e studentëve dhe përvojave në fusha të caktuara, ishte fokusi i këtij takimi.

“Përfundimi me sukses të lartë i projekteve, donacioneve dhe investimeve japoneze në Kosovë dhe realizimi i projekteve dhe investimeve të reja ishin temat kyqe të diskutimit në takimet e ndara të Ministres Gërvalla me drejtuesit e Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) dhe Bankës Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JBIC)”, thuhet në komunikatë.

Tutje, bëhet e ditur se gjatë takimit në zyrat qendrore të JICA-s, Ministrja Gërvalla falënderoi drejtuesit e kësaj agjencie për mbështetjen e dhënë Kosovës ndër vite në rindërtim, ngritje të kapaciteteve humane dhe infrastrukturore, mbrojtje të mjedisit, menaxhim të mbeturinave dhe në fushën e përmirësimit të ajrit.

“Në takim me përfaqësuesit e Bankës Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Ministrja Gërvalla vuri në pah potencialin në fushën digjitale dhe të teknologjisë informative, si përparësi të rëndësishme të të rinjve, të cilat mund të shërbejnë si një mundësi e mirë e investimeve strategjike japoneze në Kosovë, në ngritjen e punësimit dhe perspektives së të rinjve në Kosovë”, thuhet tutje në komunikatë.

Kujtojmë se këtë takim Gërvalla E realizoi gjatë vizitës së saj zyrtare në Japoni./21Media

Back to top button