Gërvalla thotë se të emëruarit jashtëligjshëm në ambasada do kthehen në Kosovë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka paralajmëruar shfuqizim të disa vendimeve të jashtëligjshme, për siç ka thënë ajo, ta kthejnë ligjshmërinë dhe drejtësinë e munguar në këtë institucion.

“Pas një faze shumë intensive të identifikimit jo vetëm të dobësive, por edhe potencialit për reformë brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, tani kemi hyrë në fazën finale të fuzionimit të ish-Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe ish-Ministrisë së Diasporës, fuzionim ky që ka dështuar ta kompletojë qeveria gjatë mandatit të kaluar. Në kuadër të riorganizimit të MPJD-së ndodhemi në prag të implemetimit të rregullores së re të brendshme, e cila do të mundësojë një funksionim më të mirë dhe më efektiv të këtij institucioni. Ndihem shumë krenare me të gjithë ata zyrtarë të shumtë, brenda dy ministrive dhe jashtë nëpër misione diplomatike, të cilët me përkushtimin, pasionin dhe zellin e tyre, me integritet personal dhe profesionalizëm punojnë shumë çdo ditë për të forcuar pozicionin e Kosovës në skenën ndërkombëtare. Pa ta e gjithë kjo punë kolosale nuk do të kishte qenë e mundur”, ka shkruar Ministrja në Facebook.
Sipas saj, të gjithë ata që janë dërguar në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës jashtë vendit në kundërshtim me ligjin ose që nuk i kanë përmbushur pritjet elementare të një diplomati, do të kthehen gradualisht në Prishtinë.
“ Pas gjithë atyre viteve pa ligjshmëri, ligjin do të zbatohet përfundimisht edhe në këtë fushë. Por shteti ligjor është shtet ligjor dhe jo shtet i nepotizmit, i privilegjeve të pafundme dhe i tradhtisë ndaj taksapaguesve dhe djersës së tyre. Pra, nga cilësia e karakterit bazë njerëzor dhe profesionalizmi, nga dija dhe zelli do të varet se a do ta gëzojë dikush privilegjin ta përfaqësojë vendin tonë krenar. Zyrtarët e Kosovës në ambasada, konsullata dhe në ministri në fund të fund shef e kanë ligjin dhe sovranin, pra qytetarin e Republikës së Kosovës, atë që jeton brenda por edhe jashtë vendit. Kush nuk e kupton këtë parim bazë, kush nuk e kupton që është privilegj i jashtëzakonshëm të shërbesh, nuk meriton të shërbejë në misionet e tona diplomatike”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se do të hapin konkurse të reja, të bazuara në kritere transparente profesionale për ta pasuruar MPJD-në me diplomatë të kualifikuar mirë, në mënyrë që të krijojmë një ekip profesional solid dhe premtues për të ardhmen e diplomacisë kosovare./21Media
Back to top button