Gërvalla: Vuçiqi po përgatit agresion në mënyrë ushtarake e ideologjike

(Lajm i përditësuar)

Ministrja e Jashtme e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz në Këshillin e Sigurimit tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq po përgatit agresion në mënyrë ushtarake e ideologjike.
Ajo ka thënë se Vuçiqi ka paralajmëruar destabilitet në fund të muajit kur edhe përfundon periudha kalimtare për zëvendësimin e tabelave të ligjshme me ato të paligjshme.
Ajo në Këshillin e Sigurimit theksoi se serbët ekstremistë po ndjekin e frikësojnë në mënyrë brutale bashkëqytetarët e tyre duke ua djegur veturat atyre që i kanë ndërruar tabelat.
“Jemi të kënaqur që aleatët tjerë ndërkombëtarë janë afër nesh. Ka qenë sekretari Stoltenberg që e ka ndalur Vuçiqin të nxisë destabilizim. Vendimet e qeverisë tonë janë pritur shumë gjatë. Në vitin 2011 Serbia është pajtuar në Bruksel për lirinë e lëvizjes. Kur ne i kërkuam Serbisë që ta ndalë këtë diskriminim ai nuk pranoi kështu që na detyroi të lëviznim me reciprocitet. Serbia si gjithmonë i ka shkelur zotimet e veta për më shumë se 10 vjet. Kërcënimi për destabilitet të paqes ka ardhur nga njëra palë. Kosova nuk ka kërcënuar, por ka insistuar që Serbia t’i përmbahet marrëveshjes që e ka nënshkruar vetë”, tha ajo.
Gërvalla ia përmendi Vuçiqit deklaratën “Për një serb të vrarë do t’i vrasim 100 myslimanë”. “Ky është kërcënim ndaj paqes”, theksoi ajo.
“Vuçiq pretendon vazhdimisht se serbët janë të kërcënuar. Bota e di kush ka qenë kryes i gjenocidit në rajon. Vuçiqi ka rritur bashkëpunimin ushtarak me Rusinë. Edhe personeli ushtarak rus punon me Ministrinë e Mbrojtjes në Serbi. Serbia është bërë kërcënimi i dytë më i rrezikshëm i Evropës, pas Rusisë”, tha ajo.
Ministri serb në OKB: E refuzojmë argumentimin e Kosovës për Asociacionin

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviq, akuzoi Kosovën për çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Sipas Selakoviq Kosova  synon të ketë popullatë pa serbë.
“Ne e refuzojmë kategorikisht argumentimin e Prishtinës për jokushtetueshmërinë për krijimin e Asociacionit. Kjo reflekton sjelljen e tyre dhe serbëve në provincë dhe tregon se Prishtina është kundër njerëzve, serbëve, si një komunitet etnik në atë vend. Qëllimi i tyre është një komunitet pa serbë si ajo në Prishtinë, Gjakovë apo në Pejë”, tha ai.
Ministri i Jashtëm serb u shpreh se nuk mund të ndryshohet formati i dialogut me ardhjen në pushtet të Qeverisë Kurti.
“I konsiderojmë si të papranueshme tentativat për mospërfillje të formatit aktual të dialogut, dhe anulimin e marrëveshjeve vetëm se nuk u pëlqejnë faktorëve aktualë politikë. Është e papranueshme që rrethanat aktuale gjeopolitike të përdoren thjesht për të fshirë atë që është punuar me mundim prej vitesh. Theksoj se Beogradi ishte institucionalisht i përfshirë në dialog që në fillim, ndërsa angazhimi i palës tjetër ka ndryshuar dhe vazhdon të variojë në varësi të opsionit politik që është në pushtet”, tha Selakoviq.
 
Shefja e UNMIK-ut: Retorika politike rrezikoi të arriturat e dialogut Prishtinë-Beograd

Përfaqësuesja speciale e Sekretarit të Përgjithshëm dhe shefja e UNMIK-ut, Karolinë Ziadeh, në fjalën e saj në seancën ku po diskutohet për raportin gjashtëmujor për Kosovën në Këshillin e Sigurimit deklaroi se ky muaj karakterizohet nga afate vendimtare në lidhje me dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, duke përmendur rastin e udhërrëfyesit për energjinë dhe targat për qytetarët serbë.
Ziadeh deklaroi se çështjet që duken të fjetura mes Kosovës dhe Serbisë mund të kthehen lehtësisht në ballë të agjendës së dialogut. Duke përmendur retorikën e udhëheqësve politikë, Ziadeh u shpreh se kjo gjuhë po rrezikon edhe ato të arritura që janë bërë deri më tani në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd.
“Që nga pranvera e kaluar, të gjithë kemi vërejtur disa përshkallëzime në retorikën politike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, si dhe disa momente të tensionit akut në terren. Këto kërcënuan të pengojnë shumë nga arritjet e mëparshme, të arritura përmes dialogut të lehtësuar nga BE. Në momente të tilla, vëmendja e të dyja palëve u investua në akuzat e ndërsjella, në vend se të investohej në përdorimin e kanaleve formale apo joformale për t’u angazhuar në dialog konstruktiv. Ndërhyrjet diplomatike së bashku me një takim dialogu të nivelit të lartë më 18 gusht u lanë në lehtësim të përkohshëm dhe formën e afatit të zgjatur, dhe premtimet për vazhdimin e diskutimeve. Megjithatë, gatishmëria për të rrezikuar konfrontime të rrezikshme në terren, në rastin më të mirë e ktheu procesin prapa, në rastin më të keq mund të çojë në pasoja shumë më të rënda, edhe nëse të paqëllimshme”, deklaroi Ziadeh.
Shefja e UNMIK-ut u shpreh se mirëpret përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për forcimin e sundimit të ligjit, ndërsa shtoi se kjo mund të arrihet duke zbatuar të gjitha vendimet e gjykatave të larta, si ato të Gjykatës Kushtetuese.
Ajo tha se pret që këto përpjekje në sundim të ligjit të vihen re nga shtetet anëtare evropiane, të cilat janë duke hezituar në qëndrimin e tyre për liberalizmin e vizave për Kosovën.
“Qeveria e Kosovës ka pasur një agjendë ambicioze, realizimi i së cilës varet nga vendimmarrja e drejtë, partneriteti i fortë dhe konsensusi publik. Ne mirëpresim përpjekjet e vazhdueshme të Qeverisë për forcimin e sundimit të ligjit dhe drejtësisë, të cilat mund të kenë sukses vetëm përmes pajtueshmërisë së plotë me të gjitha kornizat ligjore në fuqi dhe duke siguruar një proces të rregullt. Në këtë kontekst, do të theksoja rëndësinë e: Zbatimit të plotë të të gjitha vendimeve të gjykatave të larta, si ato të Gjykatës Kushtetuese; Respektimit të plotë të të drejtave të njeriut, duke përfshirë të drejtat sociale dhe ekonomike, pronën dhe lirinë e lëvizjes, për të gjitha komunitetet; Respektimit të plotë të të gjitha detyrimeve të ndërmarra dhe të ratifikuara më parë brenda kornizës së dialogut të përkrahur nga BE-ja”, vijoi ajo.
Ziadeh u shpreh se ditët në vijim janë shumë të rëndësishme për vendimet që do të merren nga liderët politikë duke thënë se duhet te kenë parasysh kompromiset në vend të vendimeve që nuk çojnë askund.
“Ka shumë zgjedhje që duhen bërë nga liderët politikë në ditët në vijim, për mënyrën se si të menaxhojnë ambiciet dhe objektivat e tyre duke pasur parasysh pasigurinë e madhe ekonomike dhe të sigurisë në këtë kohë. Zgjedhje midis bashkëpunimit ose ndarjes, midis kërcënimeve ose gjesteve të vullnetit të mirë, midis kompromiseve ose llogaritjeve me rezultat zero. Për këtë përgjegjësia fillon nga shtëpia. Mes të gjitha sfidave, ne kemi qenë dëshmitarë të shembujve pozitivë të lidershipit dhe bashkëpunimit”, tha ajo.
Shefja e UNMIK-ut u shpreh se të gjitha nismat rajonale, pavarësisht emrit të tyre, mund të kontribuojnë në zgjidhjen e tensioneve politike dhe të problemeve, pavarësisht se shtoi se vetëm kjo nuk mjafton për një paqe të qëndrueshme.
“Nismat e bashkëpunimit në nivel të qeverive rajonale – pavarësisht nga etiketat, autorësinë dhe pjesëmarrjen, mund të kontribuojnë gjithashtu në zgjidhjen e tensioneve politike dhe problemeve. Kjo është veçanërisht e vërtetë tani, kur të gjitha pjesët e rajonit janë të prekura nga rreziqe të ngjashme të zinxhirit të furnizimit dhe sfida të tjera ekonomike. Natyrisht, as nismat rajonale nuk janë ilaç. Paqja e qëndrueshme kërkon shumë më tepër, duke përfshirë angazhimin e drejtpërdrejtë të komuniteteve dhe kuptimin më të mirë të pikëpamjeve, shqetësimeve dhe interesave të tyre. Këtu roli i misioneve si ky i yni mund të bëjë më shumë për të mbështetur progresin”, u shpreh ajo.
Në fund, Ziadeh tha se është e bindur se çdo marrëveshje ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës mund të arrihet dhe zbatohet vetëm me një shkallë të lartë të përfshirjes dhe përgjegjësisë publike.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së diskuton për Kosovën

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara sonte po diskuton raportin e ri gjashtëmujor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres për punën e Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK).
Caroline Ziadeh, përfaqësuesja speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe shefe e UNMIK-ut, ka thënë se Kosova është përballur me pasiguri në muajt e fundit e se liderët politikë në vend “duhet të zgjedhin mes kërcënimeve apo gjesteve të vullnetit të mirë”.
Në këtë seancë po merr pjesë edhe zëvendëskryeministrja e Kosovës, njëherit ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, e cila do të prezantojë qëndrimet e Republikës së Kosovës./21Media

Back to top button