Gërxhaliu: Barrierat ekonomike me Serbinë të mbesin në të kaluarën

Rezultati më i madh i arritur është që sot bisedojmë hapur për sfidat

Ndikimi i theksuar i politikës, moszbatimi i marrëveshjes CEFTA, mungesa e infrastrukturës, rivlerësimi i mallit nga autoritetet serbe pavarësisht se bizneset prezantojnë vlerën reale, transiti, kërkesa që certifikata e origjinës së mallit të merret nga organet serbe janë disa nga barrierat me të cilat ballafaqohen bizneset nga Kosova kur eksportojnë mallin në Serbi. Kështu është thënë me rastin e prezantimit të rezultateve të hulumtimit të realizuar nga “Forumi për Marrëdhënie Etnike“ dhe “Heinrich Boël Stiftung“ mbi tejkalimin e barrierave për biznesin dhe normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me ç’rast është theksuar nevoja e eliminimit të barrierave në biznesin midis Serbisë dhe Kosovës.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Grëxhaliu është shprehur i bindur se do të ndryshohet percepsioni dhe imazhi i këtyre dy shteteve dhe Ballkanit Perëndimor, nga një trevë e sfidave dhe problemeve në trevë të ardhmërisë, të optimizmit dhe të qëndrueshmërisë. Ai ka potencuar se rezultatet pozitive të këtij bashkëpunimi mund të vërehen përkundër kritikave që OEK ka marrë për dialogun e zhvilluar me Odën Ekonomike të Serbisë.

“Për hir të opinionit  po e them, se kemi pasur kritika pse po dialogojmë, pse jemi kaq të afërt për bashkëpunim, por besoj që rezultati më i madh dhe më i arritur në këtë bashkëpunim është se sot jemi këtu dhe bisedojmë për sfida në mënyrë të drejtpërdrejt, para medieve, para bizneseve, para partnerëve ndërkombëtar dhe besoj se kjo transparencë duhet të jetë motivim për të gjithë ne që dialogut t’i japim shans se vetëm përmes dialogut mund të zgjidhen të gjitha sfidat që na preokupojnë”, tha ai.

Edhe Kryetari i Odës Ekonomike dhe Industrisë të Serbisë, Marko Cadez,  ka thënë se është i rëndësishëm fakti se dy vendet kanë filluar bashkëpunimin dhe që lidhjet ekzistojnë. “Ne nuk kemi shkop magjik që t’i zgjidhim të gjitha problemet. Por dua t’i falënderoj njerëzit që janë bashkuar së fundmi. Ne kemi biseduar se çka mund të bëhet që të arrijmë rezultate të mëdha. Ne kemi sjellë këtu rreth 300 kompani nga Oda Ekonomike e Serbisë dhe Kosovës, dhe është vendosur themeli dhe lidhjet ekzistojnë… Është përparuar shërbimi i doganave, pastaj qarkullimi i mallrave”, ka thënë ai.

Me këtë rast OEK dhe Oda Ekonomike e Serbisë kanë dhënë mirënjohje për mbështetësin e proceseve të dialogut në aspektin ekonomik, ambasadorin Britanik në Prishtinë, Ruairi O’Connell, i cili me këtë rast ka shprehur se ndjehet i befasuar dhe i gëzueshëm për fjalët e ngrohta që ka dëgjuar gjatë këtij takimi.

Ai ka theksuar rëndësinë që ka thyerja e barrierave. “Është mirë të shohësh se lidhjet që ekzistojnë në këtë pjesë të botës, të cilat ishin të thyera, nganjëherë brutalisht nga konfliktet, nuk janë thyer përjetësisht. Dialogu i cili ka ndodhur në Bruksel është jashtëzakonisht i rëndësishëm, por unë besoj fuqishëm se nëse çfarë ne po kërkojmë, për të gjithë në këtë pjesë të botës, është e ardhmja që duhet të ndërtohet në mes të njerëzve, në mes të komuniteteve, në mes të bizneseve. Nuk është në pyetje vetëm liderët që flasin me liderë, pavarësisht rëndësisë së saj, por është në pyetje çdo nivel i shoqërisë dhe çdo pjesë e komunitetit, njerëzit t’i njohin njerëzit, të njihen njerëzit përmes shoqërisë, lidhjeve dhe bashkëpunimeve”, ka thënë ai.

Ndryshe në Kosovë është duke u mbajtur Panairi i Produkteve Bujqësore dhe AgroIndustriale, në të cilin po marrin pjesë mbi 100 biznese serbe

Back to top button