Gërxhaliu: Qasja e Ramës shkon në favor të Serbisë dhe dëmton Kosovën

Safet Gërxhaliu, njohës i ekonomisë, thotë se në Ballkanin Perëndimor nuk ka iniciativa të pastra ekonomike, pa ngjyrë dhe kontacion politik, dhe sipas tij, iniciativa “Ballkani i Hapur” e ka atë petk.
Në Click të RTV21, Gërxhaliu foli edhe për qasjen e kryeministrit Edi Rama për Kosovën në raport me iniciativën “Ballkani i Hapur”, duke thënë se qasja e tij më tepër shkon në favor të Serbisë, sesa që mbron interesat e shqiptarëve dhe po ashtu dëmton Kosovën.
Sipas tij, Kosova nuk ka komoditet për politika refuzuese rajonale, por ka të drejtë të kërkojë barazi.
“Këtë e konfirmoi sot edhe z. Escobar, këtë duhet ta potencojmë edhe nëpër takime sepse vërtetë një strategji sa i përket “Ballkanit të Hapur” unë nuk e kam gjetur, një mbështetja financiare nuk kam gjetur, prandaj është një matje e pulsit që në rend të parë e ka qëllimin të devijojë “Procesi i Berlinit” dhe së dyti të krijohet një iniciativë”, tha Gërxhaliu.
“Është koha kur duhet të tregojmë maturi, të tregojmë që Kosova nuk është në gjendje për politika refuzuese, por politika argumentuese dhe vetëm në këtë mënyrë mund të jemi të barabartë”, shtoi ai.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia në takimin e radhës të “Ballkanit të Hapur” që u mbajt më 7 dhe 8 qershor në Ohër, nënshkruan katër marrëveshje dhe memorandume.
Nismës “Ballkani i Hapur” refuzon t’i bashkohet Kosova, e cila insiston se nismat e Bashkimit Evropian për bashkëpunim rajonal janë të mjaftueshme./21Media

Back to top button