Giresse për ndeshjen kundër Greqisë: Nuk është finale, por është shumë e rëndësishme

Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar sot konferencën për media para ndeshjes me Greqinë, ku trajneri Alain Giresse përditësoi situatën sa i përket mungesave të reja në skuadër, si dhe shpjegoi rëndësinë e ndeshjes së nesërme krahas objektivave të “Dardanëve”.
Nesër me fillim nga ora 20:45 Kosova luan ndeshjen e katërt dhe të fundit të muajit qershor në Ligën e Kombeve, ku është mysafire e Kombëtares së Greqisë.
Fillimisht, Giresse tregoi se ndeshjen kundër grekëve nuk e konsideron si finale për vendin e parë në grup, por se fitorja ka rëndësi tejet të madhe në arritjen e objektivave që ka Kosova në këtë garë.
“Ashtu siç e kam thënë edhe më herët, absolutisht që po, ndeshja kundër Greqisë është shumë e rëndësishme. E kam thënë edhe më herët se çdo ndeshje kundër një kundërshtari si Greqia është e rëndësishme, ashtu është edhe nesër, megjithatë nuk mund të them tani nëse mund ta konsiderojmë këtë ndeshje si finale apo jo, mirëpo patjetër që mbetet një ndeshje shumë e rëndësishme, dhe fitorja në takimin e nesërm ka rëndësi shumë të madhe në arritjen eventuale të ambicieve tona për ta fituar grupin dhe mbase për të kaluar në Ligën B”, tha Giresse.
Më tej, trajneri i Kosovës foli edhe për situatën momentale me lëndime dhe suspendime në skuadër, ku tha se në përjashtim të lojtarëve që mungojnë nuk është paraqitur ndonjë problem i ri me lojtarët e mbetur të grumbulluar.
“Është e qartë që ne deri tani kemi pasur shumë probleme qoftë me lëndime qoftë me suspendime të futbollistëve. Megjithatë me këta futbollistë që kanë mbetur pjesë e grumbullimit ne duhet të vazhdojmë të tentojmë të marrim më të mirën dhe ta përballojmë takimin e nesërm. Deri më tani këto kanë qenë problemet dhe këto janë mungesat megjithatë shpresoj që nuk do të kemi mungesa të tjera në ndeshjet e radhës”, tha Giresse.
Për fund, Giresse zbuloi arsyen se pse nuk ka mundur që të zëvendësojë lojtarët që mungojnë, duke e ditur që tani në grumbullim kanë mbetur vetëm 17 lojtarë nga 24 sosh sa ishin të ftuar.
“Fillimisht dua të them që të gjitha ekipet kanë pasur 23-24 futbollistë të grumbulluar për këto ndeshje, ashtu siç kemi pasur edhe ne, dhe nga ky kontingjent i futbollistëve deri tani i kemi përdorur 17 futbollistë. Por, po ashtu është e vërtetë që prej këtij grumbulli prej 23 futbollistëve, ne gjatë kësaj periudhe kemi pasur probleme jo vetëm me lëndime por edhe me suspendime. Megjithatë bazuar në faktin që jemi në ditë vere nuk ka qenë kaq e lehtë të zëvendësohen futbollistët që kanë munguar në ndeshjet e caktuar, qoftë për shkak të lëndimit qoftë për shkak të suspendimit”, tha Giresse.
Pas konferencës, me fillim nga ora 19:00, Kombëtarja e Kosovës do ta zhvillojë stërvitjen e fundit përgatitore para ndeshjes së nesërme kundër Greqisë.

Back to top button