Gjermania heq kufizimet e udhëtimeve për turistët nga Britania

Gjermania po heq ndalimin e udhëtimeve lidhur me Covid për njerëzit nga Mbretëria e Bashkuar dhe katër vende të tjera të goditura nga variantet.
Kufizimet, të cilat zbatoheshin gjithashtu për njerëzit nga Portugalia, Rusia, India dhe Nepali, do të lirohen nga e mërkura.
Vizitorëve që janë plotësisht të vaksinuar nuk do t’iu kërkohet karantinë. Megjithatë, nga personat e pavaksinuar do të kërkohet ende karantinë deri në 10 ditë, me mundësinë për ta përfunduar karantinën e tyre më herët me një test negativ ditën e pestë.
Pesë vendet janë klasifikuar deri më tani si “zona të variantit të virusit” për shkak të përhapjes së varianteve Delta dhe Delta Plus, të cilat u identifikuan për herë të parë në Indi.
Megjithëse qytetarët dhe banorët gjermanë ishin të përjashtuar nga ndalimi i udhëtimit, atyre iu kërkua të izolohen për 14 ditë pasi vizituan ndonjë nga pesë vendet e “variantit të virusit”, transmeton rtv21.tv.
Vendet tani do të riklasifikohen si “zona me incidencë të lartë”, tha të hënën Instituti Robert Koch.
Fushata e vaksinimit të Gjermanisë ka bërë përparime të mëdha, nga e hëna 32.4 milionë njerëz ose 39% e popullsisë së përgjithshme janë vaksinuar plotësisht kundër Covid.
Aktualisht Gjermania ka 526 pacientë Covid në kujdes intensiv./21Media

Back to top button