Për Policinë Kufitare të Kosovës, Policia Federale e Gjermanisë sot dhuroi një donacion prej 15 veturave. Pranim dorëzimi i këtij donacioni u nënshkrua nga u.d. drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti dhe ambasadori i Gjermanisë, Jörn Rohde.

Ky donacion sipas Mehmetit dëshmon bashkëpunimin e fuqishëm të Policisë së Kosovës me atë të Gjermanisë, në luftimin e krimit të organizuar dhe atij trans-kufitar.

Si shumë të rëndësishëm këtë donacion e cilësoi edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, i cili rikonfirmoi bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdueshme për Policinë e Kosovës e në veçanti për Policinë Kufitare.

Pesëmbëdhjetë (15) automjetet që erdhën si dhuratë janë të modelit Duster nga prodhuesi Dacia, veturë kjo e cila dallohet për multi-funksionalitetin teknologjik, ashtu sikurse për qasjen e mirë në terrene të ndryshme pavarësisht vështirësisë, e që janë të nevojshme për Policinë Kufitare.

U. d. drejtori i PK-së falënderoi ambasadorin gjerman dhe Policinë Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin, përkrahjen dhe mbështetjen e vazhdueshme që shteti gjerman ka bërë dhe po bën ndaj Policisë së Kosovës.