Gjermania përshëndet dakordimin në Ohër

Gjermania e ka quajtur lajm të mirë pajtueshmërinë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kurti dhe Vuçiq kanë zhvilluar takime maratonike më 18 mars në Ohër, në prani të negociatorëve evropianë.

Zëdhënësi i Qeverisë së Gjermanisë, Steffen Hebestreit ka thënë se tani duhet të zbatohet marrëveshja që është rënë dakord mes dy palëve.

“Urime për këtë përparim për të vendosur marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës në një pikëmbështetje të re! Tani gjithçka ka të bëjë me marrjen e udhëheqjes për mbajtjen dhe zbatimin e asaj që është rënë dakord. Ne do të jemi në krahun tuaj për të përmbushur perspektivën tuaj evropiane”, ka shkruar sot Hebestreit në Twitter.

Ndërsa, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka thënë se duhet pa vonesë të ketë përparim të shpejtë në çështjet e dakorduara në këtë marrëveshje.

“Në të vërtetë, tani kemi nevojë që pa vonesë të ketë përparim të shpejtë në të gjitha çështjet e dakorduara”, thekson Rhode.

Kujtojmë që, Kosova dhe Serbia janë pajtuar mbi aneksin e zbatimit të planit evropian, i cili do të jetë i obliguar për të dyja palët në momentin e publikimit të tij. Kështu ka thënë përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell në një deklaratë për media, pas dialogut 12 orësh në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e BE-së, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se kanë arritur pajtim publik me Serbinë për zbatimin e aneksit të marrëveshjes së propozuar nga Bashkimi Evropian. Mirëpo, ai ka thënë se Serbia sërsh nuk e ka nënshkruar të njëjtin. Sipas tij, i takon BE-së tani që të gjejë mekanizma për të detyruar Serbinë të firmosë ujdinë./21Media

Back to top button