Gjermania: Serbia nuk mund të bëhet anëtare e BE-së pa e njohur Kosovën

I dërguari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka thënë sot se qëndrimi i Berlinit është  i qartë – Serbia nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian pa e njohur Kosovën.
Sarrazin për mediumin serb Nova ka thënë qëndrimi i Gjermanisë për këtë çështje ka qenë gjithmonë i tillë.
“Ne nga Gjermania gjithmonë kemi pasur një qëndrim shumë të qartë për këtë çështje, drejt përfundimit të procesit të normalizimit të marrëdhënieve, kur Serbia të vendosë për anëtarësim në BE, njohja e Kosovës do të jetë pjesë e procesit”, tha Sarrazin.
Ai vuri në dukje se kjo është diçka që “u deklarua qartë kur kancelari gjerman Olaf Scholz vizitoi Serbinë në qershor të vitit të kaluar”.
Sarrazin shtoi se është e nevojshme që të arrihet një marrëveshje në mes të dy palëve sa më shpejt të jetë e mundur.
“Është e nevojshme të arrihet një marrëveshje në mes të dy palëve sa më shpejt të jetë e mundur, si dhe se është e rëndësishme që përfaqësuesit e serbëve të kthehen në institucionet e Kosovës sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë Sarrazin.

Back to top button