Gjetën kuletat me para dhe i dorëzuan në Polici

Të enjten, në Stacionin Policor Jugu në Mitrovicë, janë raportuar dy raste të gjetjes së kuletave nga dy qytetarë.
Lajmin për rtv21.tv e bëri të ditur Avni Zahiti, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës.
Rasti i parë i gjetjes së kuletës është raportuar në orët e paradites, nga qytetari F. A., shtetas i Republikës së Kosovës, i cili deri sa ndodhej në shëtitore afër sheshit “Isa Boletini” në Mitrovicë, ka gjetur një kuletë me një shumë të hollave.
Ndërsa rasti i dytë është raportuar në orët e mbrëmjes, nga qytetari S. S., poashtu shtetas i Republikës së Kosovës, i cili deri sa ndodhej në rrugën “Afrim Zhitia” në Mitrovicë, ka gjetur një kuletë me një shumë të hollave.
Në të dy rastet janë identifikuar dhe verifikuar personat të cilëve iu kanë humbur kuletat me dokumentacion dhe të holla, të njëjtat pas procedurave Policia ua ka dorëzuar pronarëve, me ç rast të njëjtit kanë falënderuar dy qytetarët dhe Policinë e Kosovës.
Policia falënderoi qytetarët për veprimet e ndërgjegjshme dhe mundësimin e kthimit të kuletave tek personat të cilëve u përkisnin./21Media

Back to top button