Gjithçka çfarë dihet për tragjedinë në Tetovë

 
Asnjë informacion nuk mund të japim për numrin e viktimave dhe shkaqet e aksidentit, derisa të njëjtat nuk zyrtarizohen nga ekspertiza që mbrëmë dhe sot në mëngjes është kryer nga ekipe hetuese në Tetovë.
Kështu përgjigjen të gjitha institucionet kur pyeten për shkaqet dhe pasojat që solli deri te djegia e tërësishme e spitalit modular në Tetovë i destinuar për pacientë me Covid.

Deri tani, nga Ministria e Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut kanë konfirmuar se janë 10 viktima dhe se numri mund të rritet. Por asnjë informacion shtesë që pas mesnatës.
Ngjashëm kanë njoftuar edhe nga Qeveria, duke siguruar se në terren janë shërbimet zjarrfikëse, policia, shërbimet mjekësore dhe prokuroria ku po hetojnë shkaqet.
I bindin qytetarët se përgjegjësi do të ketë.
“Zjarri në qendrën Covid në Tetovë është shuar. Mjekët luftojnë për një jetë më shumë. Në rrjedhë është hetimi. Deri tani ka 10 viktima kurse ky numër mund të rritet”, njoftuan nga Qeveria, transmeton TV21.
Përgjegjësi do të ketë në rast se konstatohen lëshime, premton kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi.
“Për çdo ngjarje përgjegjësia është obligim i të gjithëve dhe nga ajo nuk duhet të ikim”, tha ajo në edicionin special të TV21.
Në mjekësinë ligjore në Shkup janë sjellë vetëm viktimat, pasi të lënduarit tashmë janë vendosur në Spitalin e Tetovës, në repartin intern dhe kirurgjik.
Nga Mjekësia ligjore në Shkup për TV21 bënë të ditur se nga Tetova janë sjellë 14 viktima.

Në repartin e urgjencës në Spitalin e Tetovës janë pranuar rreth 60 pacientë.
“Për momentin, diku 50-60 pacientë ishin në trajtim aktual dhe plus 19 pacientë të cilët patën fatin të shpëtojnë nga plagët e zjarrit. Për momentin janë 60. Në Fillim gjendja e tyre ishte shumë e rëndë, mirëpo me intervenimin e ekipeve mjekësore është stabile”, tha kardiologu Nexhmedin Abazi për TV21.
Është mbajtur mbledhje e Shtabit të Krizës, po pa asnjë vendim konkret. Sot do të mblidhet edhe Qeveria në ora 10:00.

Ndërkaq më shumë se 30 zjarrfikës me shtatë automjete e kanë shuar zjarrin, kurse 5 prokurorë publikë kanë qenë në terren për të kryer ekspertizën.
Zjarri sipas denoncimit në polici, thuhet se ka shpërthyer në ora 21:15, por ka qenë shumë i fuqishëm.
Kanë reaguar kreu shtetëror në vend dhe në rajon. Të gjithë luten për Tetovën./TV21

Back to top button