Gjithçka që dihet deri më tani për vrasjen në Llaushë

Policia e Kosovës sot përmes një komunikate për media ka raportuar se si është trajtuar rasti i dhunës në familje që përfundoi me vrasje në Laushë të Skënderajt që ndodhi më 5 janar të këtij viti.
Policia e Kosovës ka thënë se menjëherë pasi është raportuar dhuna në atë familje në Llaushë kishte ftuar përfaqësuesit e Qendrës për Pune Sociale (QPS) që të paraqiten në stacion, ku prezent gjatë intervistimit ka qenë përfaqësuesi i QPS-së; po ashtu siç thotë Policia është kontaktuar edhe Mbrojtësi i Viktimave, e cila kishte kërkuar që lënda të dërgohet në formë elektronike tek e njëjta, pasi e njëjta ka sqaruar se mbrojtësit e viktimave nuk paraqiten në të gjitha rastet në intervista, përjashtuar në disa raste të caktuara, por lëndën hetuesit ua përcjellin në formë elektronike, përveç nëse prokurori udhëzon ndryshe.
Policia ka thënë se edhe përkundër deklarimeve të ankueses se nuk ishte ushtruar dhunë fizike ndaj saj dhe nuk ishte vërejtur ndonjë shenjë dhune tek e njëjta, njësitë policore kanë shoqëruar të gjitha palët në stacionin policor Skënderaj.
Policia tutje në komunikatë ka theksuar se hetuesja e dhunës në familje kishte inkurajuar ankuesen/viktimën që të shkojë për kontrolle mjekësore por e njëjta nuk kishte pranuar pasi që nuk kishte pasur lëndime apo dhunë fizike.
Sipas Policisë ani pse i është ofruar strehim viktimës, djali i saj kishte kërkuar që nëna të mos shkojë as te dajtë, e as në strehimore, por të kthehet në shtëpi.
“Ankueses/viktimës iu kishte prezantuar nga hetuesja e rastit mundësia për të ju siguruar urdhrin mbrojtës dhe për tu strehuar në strehimore, ku kërkesa për këtë kishte mbetur t’i dërgohet mbrojtësit të viktimës, por me insistimin e djalit të saj (moshës madhore), i cili ka kërkuar nga nëna që të mos largohet nga shtëpia, të mos shkon as tek familjaret e saj (dajët) por as në strehimore, me faktin se nuk ka arsye të largohet nga shtëpia, pasi do të kujdesen që prindërit mos të kenë më probleme mes vete, e njëjta është pajtuar dhe ka vlerësuar të qëndroj në familje e jo të dërgohet në strehimore”, ka thënë Policia.
Sipas procedurave të parapara ligjore është kontaktuar prokurori kujdestar, ku sipas udhëzimeve të prokurores kujdestare ishte vendosur që rasti të kualifikohet “Dhunë ne Familje” dhe të procedohet në procedurë të rregullt.
Përveç deklaratës se viktimës, në cilësi të të dyshuarit është intervistuar bashkëshorti i viktimës si dhe djali i tyre në cilësi të dëshmitarit;
Vlen të potencohet se viktima është pajisur me pakon informuese të viktimës.
“Policia e Kosovës me zyrtarët kompetent, në rastin në fjalë ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas procedurave të parapara ligjore dhe rekomandimeve të autoriteteve kompetente”, thuhet në arsyetimin e Policisë..
Ndërsa me datë 05.01.2022 ka ndodhur rasti i cilësuar “Vrasje e Rëndë”, ku Policia e Kosovës po ashtu ka thënë se ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme konform autorizimeve ligjore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.
“Personi i dyshuar është paraqitur në stacion policor, ndaj të cilit pas intervistimit me urdhër të prokurorit kompetent iu është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa arma zjarrit e llojit pistoletë me tre fishekë dhe dëshmitë tjera janë konfiskuar në cilësi të provave materiale”, ka thënë Policia.
Më 1 janar pas dhunës nga burri i saj rasti ishte raportuar në Polici, ndërsa ajo u vra më 5 janar. Dorasi dyshohet të jetë bashkëshorti i viktimës./21Media

Back to top button