Gjobitet drejtuesi i automjetit që zhvilloi shpejtësi gati dyfish më të lartë se sa shpejtësia e lejuar

 
Policia e Kosovës ka gjobitur sot drejtuesin e automjetit që zhvilloi shpejtësi gati dyfish më të lartë se sa shpejtësia e lejuar në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë.
“Sot, me datë 29 Janar 2022, gjatë realizmit të detyrave dhe kontrollit të trafikut, në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë, përmes radarit me laser kjo njësi ka identifikuar një veturë e cila në pjesën e rrugës ku kufizimi i shpejtësisë është 80 km/h, ishte duke lëvizur me shpejtësi prej 154 km/h”, bëhet e ditur në njoftimin e Policisë.
Ndaj drejtuesit të mjetit është shqiptuar gjoba prej 300 euro, tri pikë negative si dhe masa mbrojtëse-marrja e përkohshme e patentë shoferit në kohëzgjatje prej tre muajsh.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë Jugu, ka apeluar tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të kenë kujdes dhe të respektojnë rregullat e trafikut në mënyrë që të mos rrezikojnë veten e tyre si dhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik. “Përndryshe ndaj gjithë atyre që nuk respektojnë rregullat e trafikut, policia do të ndërmarrë masat ligjore të parapara me dispozitat e Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor”./21Media

Back to top button