Gjuha joparlamentare në Kuvend, Konjufca përplaset me Hotin

(Lajm i përditësuar)
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca është përplasur me deputetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti për gjuhën jo parlamentare në seancën e sotme të Kuvendit.
Shkas për këtë u bë deklarimi i ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, e cila gjatë fjalimit të saj e quajti hipokrit deputetin Hoti.
“Vërtet është hipokrizi nga ana e juaj që mundoheni me de-vlerësuar këtë ligj, i cili do të sjell shumë të mira, përfshirë edhe menaxhimin e zonave ekonomike, pasi deri më tani s’ka pasur menaxhim të mirëfilltë të zonave ekonomike…Ju lutem mos u bëni më shumë hipokrit, pasi përmes vlerës së shtuar në këtë ligj shtojmë edhe vlerën e parqeve teknologjike”, tha ajo.
Kjo bëri që deputeti Hoti të reagoi, ku kërkoi nga ana e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca që t’i tërhiqet vërejtja ministres Hajdari për gjuhën e përdorur.
“Besoj se është detyrë e juaj që të kujdeseni që kur deputetët dhe ministrat përdorini gjuhë jo parlamentare të iu tërhiqte vërejtja”, tha Hoti.
Por, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca u shpreh i çuditur me kërkesën e deputetit Hoti, pasi tha se me qindra herë ai i është referuar kryeministrit Kurti si hipokrit, mashtrues dhe gënjeshtar. Ai tha se përdorimi i këtyre fjalëve është në ndërgjegjen e secilit në sallën plenare.
“Sa i përket fjalorit parlamentar, me ju thanë të drejtën po me çuditni pak. Sepse me dhjetëra herë, në mos me qindra, ju keni referuar kryeministri si hipokrit, mashtrues, gënjeshtar. Si deputetë opozitar, pse nuk ma kujtojshi qatëherë që nuk është jo parlamentare. Unë e di mirë çka jam duke bërë. Kur e tolerojë këtë për ju dhe kur është toleruar vazhdimisht në Kuvendin e Kosovës, për këto fjalë nuk mundem me ua ndërpre fjalën. Për këto terminologji që i përdorni duhet ta keni ndërgjegjen vete, të keni kujdes qysh e trajtoni kolegun, edhe deputetin edhe qeverinë. Këto janë të ndërsjella”, ka thënë Konjufca.
Kuvendi miraton dy projektligje
Kuvendi i Kosovës në vazhdimin e seancës ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për investime të qëndrueshme dhe Projektligjin për parqet industriale dhe teknologjike.
Për këto projektligjeve votuan 61 deputetë, kurse deputetët opozitarë kritikuan përmbajtjen e këtyre projektligjeve.
Në anën tjetër, Kuvendi nuk miratoi raportin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, pasi deputetët e mazhorancën abstenuan.
Pas diskutimeve të këtyre pikave, Kuvendi shkoi në pauzë deri në orën 16:30, ku pritet të shqyrtohen pika të tjera të cilat janë në rend të ditës.