Irani mbyll sërish Ngushticën e Hormuzit për shkak të bllokadës amerikane

Irani e ka mbyllur sërish Ngushticën e Hormuzit , duke paralajmëruar se do të vazhdojë të bllokojë kalimin e anijeve për sa kohë që bllokada amerikane ndaj porteve iraniane do të mbetet në fuqi.
Mëngjesin e së shtunës presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se mund të mos e zgjasë armëpushimin e përkohshëm midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit nëse negociatat dështojnë të prodhojnë një marrëveshje deri të mërkurën, duke rritur mundësinë e veprimeve të reja ushtarake.
Delegacionet amerikane dhe iraniane pritet të zhvillojnë një raund të dytë negociatash për paqe të hënën, thanë burime iraniane për CNN.
Ndërsa zyrtarët amerikanë nuk e kanë konfirmuar se negociatat janë planifikuar, Trump më parë shprehu besim se të dyja palët janë afër një marrëveshjeje.
E, kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, i cili kryesoi delegacionin e Iranit në bisedimet e fundit me SHBA-në në Islamabad, ka thënë se Trumpi “bëri shtatë pretendime në një orë, të shtatë prej të cilave ishin të rreme”.
“Ata nuk e fituan luftën dhe sigurisht që nuk do të arrijnë askund në negociata me këto gënjeshtra”, ka shkruar Ghalibaf.
Lidhur me Ngushticën e Hormuzit, ai theksoi se, me “vazhdimin e bllokadës [amerikane]”, ngushtica “nuk do të mbetet e hapur”.
Ndërkohë, në Liban, 24 orët e para të armëpushimit 10-ditor kanë kaluar dhe duket se ai po vazhdon, pavarësisht se Libani akuzon Izraelin për disa shkelje të armëpushimit.