Osmani: Propozimi franko-gjerman platformë e mirë, por duhen garanca ndërkombëtare

(Lajm i përditësuar)

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se qëndrimi i Kosovës për planin franko-gjerman është i qartë: është platformë e mirë që ka qëllim më tepër paqe e stabilitet në rajon.
Por, Osmani thotë se ka shumë gjëra që duhet biseduar, si çështja e garancave ndërkombëtare sa i përket funksionalitetit të brendshëm të Kosovës e po ashtu edhe garancave sa i përket anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
“Qëndrimet e Republikës së Kosovës sa i përket planit franko-gjerman kanë qenë të qarta që nga propozimi i dokumentit në shtator. E kemi konsideruar gjithnjë si platformë të mirë, si iniciativë që ka për qëllim më shumë paqe e stabilitet në rajonin tonë. Si iniciativë që dinamizon dialogun dhe si bazë e mirë, platformë e mirë për diskutime të mëtejme. Të tillë si platformë të mirë e të pranueshme, ashtu e kkonsiderojmë edhe sot, por gjithnjë duke potencuar se ka akoma shumë gjëra që duhet sqaruar në proces, ndër të tjera të negociohet plani i zbatimit. Sekuencimi i obligimeve që dalin nga kjo draft-marrëveshje, e për Kosovën është tejet me rëndësi që të negicojmë, në këtë rast jo me Serbinë, por me partnerët tanë ndërkombëtarë, pra garancatë ndërkombëtare që ne i marrim sa i përket ruajtjes së funksionalitetit të brendshëm të Kosovës, që mos të shnëdërrohet në shtet jofunksional me më shumë probleme sesa zgjidhje. E dyta garancaa që marrim në rrafshin ndërkombëtarë, sa i përket njohjeve e anëtarësimit të Kosovës në organizatë ndërkombëtare. Këto janë diskutime që ende nuk janë shterur”, ka thënë Osmani në konferencë për media në Podgoricë pas takimit me presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.
Osmani ka thënë se do të ketë diskutime të mëtejme, si dhe takime të nivelit të lartë në Bruksel. Osmani ka thënë se ka 30 marrëveshje të nënshkruar në Bruksel, e pjesën dërrmuese të tyre Serbia nuk i zbaton.
Gjukanoviq: Jemi të bindur se është e mundur të arrihet një marrëveshje e qëndrueshme
Presidenti i Malit të Zi pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu në konferencë para gazetarëve kanë fokur për bashkëpunimin në konsolidimin e stabilitetit në rajon dhe përkrahjen për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Ai ka thënë se jemi të bindur se është e mundur të arrihet një marrëveshje e qëndrueshme ligjërisht e detyrueshme, afatgjatë, ne si fqinjë të përgjegjshëm duam ta mbështesim Kosovën, ne e bëjmë këtë edhe në kontaktet tona me Serbinë, ky është sigurisht interesi i tyre parësor, por është, më lejoni të mos gënjehem, një nga interesat më të rëndësishme të të gjithë neve që jetojmë në këtë rajon.
“Jemi të bindur se është e mundur të arrihet një marrëveshje e qëndrueshme ligjërisht e detyrueshme, afatgjatë, ne si fqinjë të përgjegjshëm duam ta mbështesim Kosovën, ne e bëjmë këtë edhe në kontaktet tona me Serbinë, ky është sigurisht interesi i tyre parësor, por është, më lejoni të mos gënjehem, një nga interesat më të rëndësishme të të gjithë neve që jetojmë në këtë rajon. Me zgjidhjen e kësaj çështjeje do të përmirësohej dukshëm stabiliteti i këtij rajoni, me këtë krijohen kushtet për një angazhim më të plotë në zhvillimin ekonomik dhe demokratik të rajonit tonë. Prandaj, ne besojmë në dialog dhe besojmë se partnerët tanë evropianë dhe amerikanë mund të na ndihmojnë në atë dialog. E mbyll me mirënjohje për vizitën dhe mirënjohje për propozimet miqësore dhe konstruktive që, jam i sigurt, do të çojnë në përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona ndërshtetërore”, ka thënë Gjukanoviq gjatë konferencës për media.
Osmani: E ardhmja e Kosovës dhe Malit të Zi është në BE
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është takuar me homologun e saj malazez, Milo Gjukanoviq, ku pas takimit, e para e shtetit të Kosovës tha se e ardhmja e të dyja vendeve është në BE.
Osmani tha se Kosova e Mali i Zi po punojnë bashkë për të realizuar synimin për në BE.
“Me Presidentin Đukanović diskutuam për rëndësinë e koordinimit të përbashkët për ta forcuar partneritetin në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, si dhe fuqizimin e përpjekjeve tona kundër tendencave anti-demokratike dhe destabilizuese në rajonin tonë”, shkroi Osmani.
Tutje, ajo tha se raportet mes Kosovës e Malit të Zi janë të ndërtuara në frymën e respektit të ndërsjellë, bashkëpunimit dhe përkushtimit të dyanshëm për të ardhmen euroatlantike.

Back to top button