Gjurçeski: Deri më tani duhej të kishte përgjegjësi! Vozitësit lirshëm transportojnë, ka korrupsion në kufi

“Hetimi duhet të tregojë cili ka qenë shkaku kryesor që ka shkaktuar aksidentin tragjik, posaçërisht për arsyet që kanë sjellë të ketë aq shumë viktima. Hetuesit duhet të bëjnë kujdes të veçantë rreth asaj që thuhet se në autobus ka pasur fuçi me benzinë dhe mjete piroteknike”, tha Lubomir Gjurçeski, ish shef i MPB-së.
“Hetuesit duhet t’i kushtojnë kujdes të madh saktësisë së indiceve që tregojnë prezencën e lëngjeve djegëse, derivate në fuçi, që në asnjë mënyrë nuk kanë guxuar të gjenden në autobus si dhe ato materie të rrezikshme shpërthyese siç ishin mjete piroteknike. E dini çfarë do të thotë 35 mijë mjete piroteknike, janë më shumë se 2-3 bomba dore”, theksoi ai.
Në raste të tilla parashtrohet pyetja nëse vozitësit e autobusëve këtë gjë e bëjnë vazhdimisht dhe janë të sigurt se do të kalojnë në kontrollin doganor pa u dënuar, sekuestruar edhe autobusi, por edhe benzina, mjetet piroteknike dhe gjërat tjera që transportojnë. Këto janë vepra penale që bëhen në dëm të sigurisë dhe që vendosin në rrezik jetën e udhëtarëve, theksoi Gjurçeski.
“Mekanizmat kontrolluese te ne dhe elementet e korrupsionit në sistem kanë kontribut  të rëndësishëm për të na ndodhur tragjedi të këtilla. Për shkak se ne jemi në një situatë kur transportuesit  marrin guxim të kryejnë një vepër të këtillë penale duke i sjellë në rrezik udhëtarët  të cilët janë  të bindur se  në mënyrë të sigurt do ta kalojnë kufirin me 20, 30, 50  ose 100  euro ryshfet”, deklaroi Gjurçeski, ish kryeshef i MPB.
Pas tragjedisë, pronari i “Besa Turs” gjendet në Bullgari dhe është i kapshëm për organet hetuese, por tani për tani ende nuk ka asgjë informacion zyrtar nëse ai do të arrestohej.
Gjurçeski tha se  këtë vendim do ta sjellin organet që e udhëheqin hetimin, megjithatë tha se deri më tani dikush duhej të mbante përgjegjësi, sepse për shkak të dobësive të sistemit është lejuar të ndodhë një tragjedi të këtillë.
“Për përgjegjësi morale mendoj   se ne si shtet kemi harruar se çfarë është përgjegjësi morale vite me radhë. Përndryshe, në një rast të këtillë duhej të mbanin përgjegjësi për arsye morale ministri i brendshëm, ndihmës drejtori për punë  në trafik, drejtori i Byrosë për siguri publike, ministri për transport dhe lidhje, drejtori i Doganës, ndihmës ministri   në Ministrinë për transport dhe lidhje  i cili është kompetent për licencimin e transportit të pasagjerëve”,  shtoi ish kryeshef i MPB.
Në shkurt të vitit 2019 në aksident trafiku të autobusit të kompanisë “Durmo Turs”, në fshatin Llaskarcë, 16 persona kanë vdekur, ndërsa 38 janë lënduar rëndë, por deri më tani nuk ka epilog gjyqësor,por as përgjegjësi për tragjedinë. Ndërsa, në këtë aksident të fundit imponohet pyetja për lëshime në sistemin e organizimit të transportit publik të pasagjerëve në Maqedoni, shkruan TV21./21Media

Back to top button