Gjykata dënon Feron për posedim të drogës

Fero nuk ka qenë i pranishëm në gjykatë

Gjykata e Lipjanit sot shpalli aktgjykimin ndaj, Feronit Shabanit, reperit të njohur si Fero.

Atë gjykata e dënoi me 5 muaj burgim me kusht si dhe 1200 euro dënim me gjobë.

Reperi nuk do ta vuajë këtë dënim nëse në afat prej një viti nuk do të kryejë ndonjë vepër të re penale.

Kallxo.com mëson se Fero nuk ka qenë i pranishëm në gjykatë gjatë aktit të shpalljes së verdiktit.

Dënimi ndaj Feros erdhi pasi që në seancën fillestare të mbajtur gjatë ditës së djeshme ai e kishte pranuar fajësinë për posedim të narkotikëve, përkatësisht marihuanës.

Në nëntor të vitit të kaluar Prokuroria e Prishtinës ngriti aktakuzë ndaj reperit Fero (Feronit Shabani), nën akuzën për posedimit të paautorizuar të narkotikëve dhe substancave psikotrope ose analoge.

Sipas aktakuzës, Fero në mënyrë të paautorizuar ka poseduar substanca narkotike, me peshë të përgjithshme prej 13.5 gram.

Aktakuza thotë se me 25 qershor të vitit të kaluar në rrugën “Avdi Kelmendi” në Lipjan, pas një kontrolle të realizuar nga ana e policisë, pasi e kanë ndaluar automjetin e Feros, tek i njëjti është gjetur një sasi e substancës së dyshuar narkotike e llojit marihuanë./ kallxo.com

Back to top button