Gjykata e Pejës sërish e dënon avokatin Besnik Berisha
Pasi Gjykata e Apelit kishte kthyer në rivendosje vendimin për gjobën e shqiptuar ndaj avokatit Besnik Berisha, Gjykata e Pejës ka marrë vendim duke i shqiptuar Berishës gjobë prej 500 euro lidhur me procesin gjyqësor të Shaban Gogajt.
Besnik Berisha ishte përjashtuar nga e drejta për të mbrojtur Shaban Gogajn.
Ky vendim i gjykatës kishte ardhur pasi atij i ishte shqiptuar nga ana e gjykatës gjoba prej 500 eurove.
Ndaj vendimit për gjobë të gjykatës në Pejë ankesë kishte parashtruar avokati Berisha.
Gjykata e Apelit duke aprovuar ankesën e Besnik Berishës kishte kthyer në rivendosje vendimin për shqiptimin e gjobës ndaj tij në çështjen penale ndaj Shaban Gogajt.
Ndërsa Gjykata në Pejë përsëri ka marrë vendim për shqiptimin e gjobës ndaj avokatit Berisha.
“Gjerë të vendimi mbi dënimin me gjobë të avokatit Besnik Berisha në seancë e datës.28.06.2021, kryetarja e trupit gjykues ka ardhur duke u bazuar në dispozitën e nenit 302 par.1 të KPRK-së, pasi që i njëjti ka prishur rendin dhe qetësinë në gjykatë disa herë, i është tërhequr vërejtja dhe serish ka vazhduar me prishje të rendit”, thuhet në arsyetim të vendimit të gjykatës në Pejë.
“Pra siç rrjedhe nga të lartcekurat mbrojtësi ka prishur rendin dhe qetësinë në gjykatë disa herë gjatë shqyrtimit gjyqësor kur i drejtohet kryetares se trupit gjykues: “e pa denjë për të udhëhequr këtë shqyrtim gjyqësor”, “paragjykues të çështjes”, pastaj kur bënë komente merr fjalën pa lejen e gjykatës, kur i drejtohet dëshmitarit se “keni dal atje si kozmetik” dhe për secilin rast kryetarja e trupit gjykues i ka tërhequr vërejtjen, e po ashtu është njoftuar për pasojat…. i njëjti sërish komenton dhe ndaj trupit gjykues i drejtohet me fjalët se “e keni paragjykuar çështjen”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Ditë më parë se kryetari i Gjykatës së Pejës e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për inicim të procedurës disiplinore ndaj gjyqtares Husaj- Rugova.
Më 28 qershor të këtij viti, Gjykata e Pejës ka përjashtuar avokatin Besnik Berisha nga e drejta për të mbrojtur të akuzuarin Shaban Gogaj.
“Përjashtohet nga gjykimi avokati Besnik Berisha saktësisht nga e drejta për mbrojtjen e Shaban Gogajt dhe njoftohet i akuzuari se mund të angazhojë një mbrojtës tjetër menjëherë në të kundërtën nëse nuk e cakton, do të i caktohet mbrojtës sipas detyrës zyrtare”, tha gjyqtarja Violeta Husaj – Rugova./kallxo