Gjykata Kushtetuese hedh poshtë ankesën e Listës Serbe
Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë ankesën e Slavko Simiq dhe 10 deputetëve të tjerë të Kuvendit të Kosovës, sipas të cilëve vendimi për zgjedhjen e Qeverisë nuk është në përputhje me nenin 96 [Ministritë dhe Përfaqësimi i Komuniteteve] të Kushtetutës, sepse Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal nuk është zgjedhur pas konsultimit të shumicës së deputetëve të cilët përfaqësojnë komunitetet jo shumicë në Kuvend.
Në vendimin e saj, Kushtetuesja ka thënë se “është i detyrueshëm konsultimi ose miratimi i deputetëve që përfaqësojnë ‘komunitetin në fjalë’, përkatësisht deputetët që përfaqësojnë komunitetin serb ose që përfaqësojnë komunitetet tjera jo shumicë, varësisht nëse kandidati përkatës është deputet i Kuvendit ose jo, dhe jo shumica e të gjithë deputetëve që përfaqësojnë komunitetet jo shumicë”.
Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata ka theksuar se ministri i “tretë” nga komunitetet jo shumicë, përkatësisht Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, ishte deputet i Kuvendit i zgjedhur në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, i deklaruar se përfaqëson një nga komunitetet tjera jo shumicë në Kuvend në kuptim të nenit 64 [Struktura e Kuvendit] të Kushtetutës dhe i cili është propozuar për këtë pozitë në konsultim me deputetët që përfaqësojnë komunitetet e tjera jo shumicë në Kuvend. Duke marrë parasysh që kandidati përkatës ishte deputet i zgjedhur i Kuvendit, miratimi formal nga komuniteti në fjalë nuk është detyrim kushtetues, ndërsa para Gjykatës nuk kishte asnjë pretendim që deputetët që përfaqësojnë komunitetet tjera jo shumicë nuk ishin konsultuar në propozimin e këtij kandidati për Ministër, përkundër faktit që Gjykata u kishte mundësuar që të paraqesin komentet e tyre lidhur me kërkesën e dorëzuar nga parashtruesit e kërkesës”, thuhet në komunikatën e Kushtetueses.
Gjykata ka konstatuar se vendimi i kontestuar i Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë nuk është nxjerrë në kundërshtim me paragrafët 3 dhe 5 të nenit 96 të Kushtetutës./21Media
Dokumenti i plotë është KËTU.