Gjykata serbe i jep të drejtë fyerjes institucionale ndaj shqiptarëve!

 

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka njoftuar se  Gjykata e Lartë në Beograd sot ka refuzuar ta shpallë fajtor Ministrin Aleksandër Vulin për diskriminim, fyerje dhe gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve. “Siç dihet, ish-zëdhënësi i Mira Markoviqit dhe Ministri i sotëm i Brendshëm i Aleksandër Vuçiqit, përdor vazhdimisht terminologjinë fyese “šiptari” në vend të terminologjisë zyrtare në Serbi: “albanci””, ka thënë Kamberi.

Duke e cilësuar padinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar si të pabazuar, siç thotë Kamberi Gjykata i ka dhënë tashmë edhe fuqi juridike institucionalizimit të gjuhës së urrejtjes, mosdurimit dhe ksenofobisë ndaj shqiptarëve në përgjithësi, e atyre në Serbi në veçanti.

Kamberi  ka kërkuar të reagojnë BE, SHBA dhe vendet e rajonit ndaj këtij rasti, duke shtuar se kjo nuk ka ndodhur as në kohën e Sllobodan Millosheviqit.

“Në cilësinë e shefit të Grupit Parlamentar “Lugina e Bashkuar-SDA Sanxhak”, unë kam filluar ndërmarrjen e veprimeve institucionale në nivel shtetëror dhe ndërkombëtar. Ftoj autoritetet e Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të vendeve të rajonit, që të reagojnë ndaj Beogradit për ta ndaluar institucionalizimin tashmë edhe juridik të gjuhës së urrejtjes ndaj minoriteteve në Serbi”, ka thënë Kamberi.

Tutje ai ka theksuar se vendimi i sotëm i Gjykatës së Lartë në Beograd është precedent tepër i rrezikshëm për minoritetet në Serbi, por edhe në tërë Ballkanin Perëndimor.

Në fund të vitit 2018, Gjykata e Apelit në Beograd konfirmoi vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Lartë në Beograd mbi padinë e Anita Mitiq, një ish-aktiviste e Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut, kundër tabloidit “Informer”. Gjykata sanksionoi përdorimin e termit “Shiptar” si gjuhë urrejtjeje. Ekziston edhe mendimi i Komisioneres për Mbrojtjen e Barazisë, Bërnakica Jankoviq, sipas së cilës, thirrja e popullit shqiptar “Shiptar” është nënçmuese dhe fyen anëtarët e asaj kombësie. Ajo gjashtë vjet më parë paraqiti mendimin se dy tabloide në Serbi, shkelën Ligjin për Ndalimin e Diskriminimit sepse ata i quanin shqiptarët “Shiptari”./21Media

GJYKATA SERBE I JEP TË DREJTË FYERJES INSTITUCIONALE NDAJ SHQIPTARËVE!

TË REAGOJNË BE, SHBA DHE VENDET E RAJONIT, NDAJ…

Posted by Shaip Kamberi on Monday, 8 February 2021

 

Back to top button