Gjykata: S’ka urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj Xhelal Sveçlës
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm Penal sot ka qenë e caktuar të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar ndaj ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe 12 të pandehurve të tjerë.
Gjykata ka njoftuar se seanca e shqyrtimit fillestar nuk është mbajtur në mungesë të shtatë të pandehurve, prej tyre dy të pandehur kanë qenë të ftuar në mënyrë të rregullt, për dy të pandehur nuk ka pasur dëshmi se janë ftuar në mënyrë të rregullt, ndërsa për tre të pandehur ka pasur urdhëresë për sjellje me detyrim nga stacionet policore , mirëpo që nuk janë realizuar dhe Gjykata është informuar nga Policia e Kosovës, se të njëjtit nuk janë gjendur në vendbanimet e tyre, andaj në mungesë të pandehurve seanca është shtyrë në afat të pacaktuar.
Ndërkaq për ministrin Sveçla, Gjykata ka thënë se nuk ka pasur urdhëresë për sjellje me detyrim,por i njëjti ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt dhe gjithashtu nuk është lëshuar asnjë urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj tij për seancën e radhës.
Xhelal Sveçla, Dardan Molliqaj, Arsim Maqastena, Pajtim Havolli, Agron Kabashi, Egzon Azemi, Pajtim Demaj, Frashër Krasniqi, Nol Nushi, Bekim Shkodra, Afrim Hoxha, Sami Avdiu dhe Besnik Qelaj po akuzohen se në qershor të vitit 2013 kishin hedhur gurë, ngjyrë, sfera të qelqit, shishe, mjete piroteknike në drejtim të pjesëtarëve të Policisë ku ishin lënduar lehtë katër policë./21Media