Gjykata të veprojë sipas praktikave evropiane

Gjykata e Apelit në rastin “Spiuni” i pranoi si prova incizimet e paligjshme

Gjykatat të nisen nga interesi publik për të vërtetën, ndërsa gjykatësit të vendosin vetë se a do t’i pranojnë bisedat e përgjuara si prova në procedurë gjyqësore. Ky ishte qëndrimi i ish gjykatëses në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strazburg Mirjana Llazarova Trajkovska. Ajo me ftesë të njeriut të parë të Gjykatës Supreme Jovo Vangellovski para gjykatësve e prezantoi përvojën e Gjykatës Evropiane ku si prova janë paraqitur edhe bisedat e përgjuara. Trajkovska tha se nuk duhet të vlejnë rregulla të përgjithshme, por gjykatat të vendosin veç e veç në lidhje me shfrytëzimin e bisedave të përgjuara si prova në procedurë gjyqësore.

“Gjykata Supreme nuk mund të vihet në rolin e ligjvënësit për ta rregulluar këtë materie. Andaj për çdo lëndë duhet të ketë individualizim. Pra, gjykatësit duhet vetë të vendosin se a do të pranohen si prova në procedurë gjyqësore provat e siguruara në mënyrë të paligjshme, në cilën procedurë këto do të përdoren si indicie dhe në cilat procedura do të hedhen poshtë”, tha Tajkovska.

Megjithatë, Gjykata e Apelit në rastin “Spiuni” i pranoi si prova incizimet e paligjshme. Për dallim nga kjo, në dhjetor të vitit të kaluar, gjykatësja Tatjana Mihajllova refuzoi që si prova për rastin e dhunës në Komunën Qendër të pranohen bisedat e përgjuara në mënyrë të paligjshme, ndërsa këtë vendim e konfirmoi edhe Apelacioni pas ankesës së PPS-së. Nga Prokuroria Speciale thonë se incizimet i kanë pranuar në mënyrë të ligjore dhe presin që Gjykata Supreme ta respektojë praktikën e njëjtë siç ndodhi edhe me rastin “Spiuni”.

“Presim që Gjykata Supreme ta zbatojë praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut e cila qartazi vë në dijeni se interesi publik ka përparësi para të gjithë interesave privatë. Në rast se në lëndë të caktuara në procedurë penale, të dhënat që dalin nga provat e siguruara në mënyrë të paligjshme vërtetohen nga një numër i madh i provave të tjera materiale, atëherë nuk ekziston asnjë pengesë që edhe provat e siguruara në mënyrë të paligjshme të përdoren në procedurë”, tha Lençe Ristovska, Prokurore në PPS.

Ndërkaq, Llazarova-Trajkovska thotë se gjithçka varet nga ajo se si ndonjë gjykatës e kupton drejtësinë,shkruan tv21.tv

“Këtu, ligjvënësi ka pranuar se ekziston problem dhe se duhet të shqyrtohet përmbajtja e këtyre provave. Kjo është baza nga e cila duhet të niset më tutje. Se si do të vendosin gjykatësit, gjithçka varet nga kuptimi i tyre për të drejtën dhe drejtësinë”, shtoi Trajkovska.

Nga Gjykata Supreme, përmes një kumtese informuan se i kanë dëgjuar qëndrimet e Llazarova Trajkovskës. Por çështja se a mund të përdoren provat e siguruara në mënyrë të paligjshme si prova në procedurë gjyqësore edhe më tej mbetet për t’u zgjidhur./21Media

Back to top button