Gjykata ua cakton nga një muaj paraburgim serbëve të arrestuar për terrorizëm

(Lajm i përditësuar)

Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar nga një muaj paraburgim të dyshuarve për sulmin terrorist të së dielës në fshatin Banjskë të Zveçanit.

Në seancën dëgjimore të mbajtur, gjyqtari special i Gjykatës në Prishtinë e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë ndaj dy të dyshimtëve: Ballagosje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq.


Përfundon seanca dëgjimore ndaj të dyshuarve për sulmin terrorist në Banjskë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka përfunduar seanca dëgjimore ndaj dy të dyshuarve për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Në këtë seancë, është shqyrtuar kërkesa e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve.

Pas pak pritet të merret vendimi ndaj tyre.


Prokuroria kërkon një muaj paraburgim për tre terroristët, pas pak nis seanca në Gjykatë

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre personave V.T. B.S dhe D.M. për vepra të ndryshme penale.

Sipas Prokurorisë, kërkesa është bërë kundër tre të pandehurve për veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 126, dhe “Kryerja e veprave terroriste” nga neni 129 të Kodit nr.06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës, si dhe veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 126, dhe “Kryerja e veprave terroriste” nga neni 129, lidhur me nenin 33 të Kodit nr.06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës.

Seanca do të mbahet sot e martë, nga ora 10:00, në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special.


Dy të dyshuarit tjerë për sulmin terrorist në Banjskë sot dalin para Gjykatës

Sot (e martë) do mbahet seanca dëgjimore për dy të dyshuarit tjetër për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Këtë e ka konfirmuar, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Të hënën Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj V.T, i cili është i dyshuar për pjesëmarrje në sulmin kundër Policisë së Kosovës, të dielën në fshatin Banjskë.

Back to top button