Kaloni te përmbajtja kryesore

Përfundojnë dëshmitarët e prokurorisë në rastin e ish-udhëheqësve të UÇK-së

(Lajm i përditësuar)


Përfundojnë dëshmitarët e Prokurorisë, gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së shtyhet në kohë të pacaktuar

 Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, të martën ishte planifikuar që të dëshmojë dëshmitari i fundit i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, mirëpo u tha se ai nuk ishte në gjendje që të vinte dhe të dëshmonte në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Seancat e radhës në këtë rast janë anuluar dhe sipas asaj që ka deklaruar ZPS-ja gjatë konferencave për ecurinë çështjes, i bie që Prokuroria ka përfunduar me thirrjen e dëshmitarvë të saj, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas asaj që tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, gjykimi në këtë rast u shty për një kohë të pacaktuar.

“Seanca e radhës nuk do të jetë 15 prill apo jo? Sepse disa persona nuk do të jenë të pranishëm. Kështu që do ta bëjmë pas datës 15 prill. Do të bëjmë planifikimin përkatës dhe do t’ju njoftojmë. Më pas ne do i marrim hapat përkatës duke prezumuar që ju e keni përfunduar lëndën tuaj deri në atë pikë”, tha ai.

Veç kësaj, në këtë seancë u dhanë edhe arsyet se pse trupi gjykues pranoi dëshminë e Ismet Tarës sipas Rregullës 143 (2b) dhe (c). Kjo rregull thotë se me autorizimin e trupit gjykues, pala thirrëse mund ta pyes dëshmitarin për çështje që ndërlidhen me besueshmërinë e tij. Pra, dëshmitari mund të pyetet për çështje që supozohet se ka dijeni dhe për të cilën kur pyetet, ai nuk bën përpjekje që të dëshmojë. Veç kësaj, dëshmia e një dëshmitari mund të pranohet sipas kësaj Rregulle pasi dëshmitari ka dhënë deklarata të mëhershme e të cilat janë mospërputhëse.

“Çdo deklaratë e tillë mospërputhëse mund të jetë e pranueshme për vlerësimin e besueshmërisë së dëshmitarit si edhe vërtetësinë e përmbajtjes së saj, ose për qëllime të tjera sipas gjykimit të trupit gjykues”, thuhet në pikën 2(c) të kësaj Rregulle.

Sipas Smith, Ismet Tara dha dëshmi në Hagë më 24 dhe 25 shkurt 2025. Sipas tij, në ditën e parë të dëshmisë së tij, gjatë pyetjeve që iu bënë Tarës, ZPS kërkoi që deklaratat e mëparshme të këtij dëshmitari dhe shënimi përgatitor bashkë me tri prova shoqërues të pranohen sipas Rregullës 143 2 (b) dhe (c).

Mbrojtja e kishte kundërshtuar pranimin e kësaj deklarate në bazë të kësaj Rregulle. Të njëjtën ditë, deklaratat e këtij dëshmitari ishin pranuar në prova materiale së bashku me shënimin përgatitor dhe tri prova shoqëruese në bazë të kësaj Rregulle.

Sipas trupit gjykues, sa i takon deklaratës së 2001-ës, dëshmitari ka dhënë komente më 2019-ën për ZPS-në si dhe gjatë seancës përgatitore. Veç kësaj, Smith tha se ata kanë konstatuar se dëshmitari i qëndron pas intervistës së 2019-ës dhe s’kishte asnjë paqartësi në shënimin përgatitor siç ka pretenduar mbrojtja e Thaçit.

Ai tha se pavarësisht që dëshmitari u paralajmërua që po shkelte urdhrat e trupit gjykues ,Tara nuk iu përgjigj pyetjeve të ZPS-së por vetëm atyre të mbrojtjes.

“Trupi gjykues vlerëson se janë përmbushur kushtet apo kriteret sipas Rregullës 143 (2b) dhe (2c). Trupi gjykues vlerëson se mospërpjekja për të dhënë dëshmi në fakt mund të konsiderohen si deklaratë e mëparshme mospërputhjes. Trupi gjykues vlerëson së palët pajtohen se deklarata e 2001 e dëshmitarit, në fakt nuk është në përputhje me dëshmitë e tjera që ka dhënë ky dëshmitar. Trupi gjykues po ashtu është i bindur se mosperpjekja e njëmend e dëshmitarit për të dhënë dëshmi mbi aspekte që ka dijeni dhe që i ka përmendur në deklaratën e mëparshme përgatitore bën që intervista e 2019-ës, shënimi përgatitor dhe provat shoqëruese të konsiderohen mospërputhese”, tha ai.

Veç kësaj, kryetari i trupit gjykues tha se sa i takon pranueshmërisë së këtyre materialeve sipas Rregullës 143, është vlerësuar se dëshmia e Tarës është relevante sa i takon fakteve dhe rrethanave që janë themelore për akuzat në aktakuzë, veçanërisht sa i takon strukturës, organizimit dhe hierarkisë së UÇK-së, si dhe krimet për të cilat flet aktakuza.

“Rrjedhimisht, trupi gjykues vlerëson që deklaratat e mëparshme të dëshmitarit, shënimi përgatitor dhe materialet shoqëruese janë relevante për këtë proces gjyqësor sa i takon informacionit që përmbajnë, por edhe për besueshmërinë e këtij dëshmitari”, tha ai.

Ndërsa, sa i takon autenticitetit, Smith tha se ata vërejnë se mbrojtja e Krasniqit ka kontestuar deklaratën e 2001-ës, me arsyetimin se Tara e mohon dhënien e asaj dëshmie.

Si rrjedhojë, gjykatësi rikujtoi një vendim të mëparshëm ku ka konstatuar se shënimi i përgatitor gjatë një hetimi penal që riprodhon informacione të dhëna nga një dëshmitar cilësohet si deklaratë.

Sipas tij, deklarata e 2001-ës e Tarës është marrë gjatë një hetimi penal dhe përmban informacion që u është ofruar prej hetuesve për këtë dëshmitar. Si rrjedhojë, ai theksoi se kjo deklaratë përmban shumë indice të autenticitetit e cila ka datë, emër, nënshkrime të hetuesve po ashtu edhe të dhëna personale të Tarës.

Po ashtu, ai tha se autentike e bën këtë dokument edhe fakti që kjo deklaratë është në një shabllon zyrtar.

Ai tha se i takon trupit gjykues që në një fazë të mëvonshme të vlerësojë besueshmërinë e dëshmitarit dhe sa të mbështetshme janë dëshmitë e tij.


Dëshmitari i 126-të s’erdhi të dëshmonte, ZPS-ja kërkon që dëshmia e tij të pranohet me shkrim

Në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të martën ishte planifikuar të dëshmonte dëshmitari i 126-të, por ai nuk ishte në gjendje që të shkojë në Hagë sot.

Si rrjedhojë, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III njoftoi se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka thënë që do të kërkojë që dëshmia e tij të pranohet sipas Rregullës 155.

“Sot si rregull do të kishim filluar që të dëgjonim dëshminë e dëshmitarit të Prokurorisë W04747. Sidoqoftë, dëshmitari nuk është në gjendje të vijë sot dhe ZPS-ja do kërkojë që dëshmia e tij të pranohet sipas Rregullës 155”, tha Smith.

Në këtë Rregull, përcaktohet se gjykatësit mund të pranojnë një deklaratë ose transkriptë me shkrim të dëshmitarit, pa u paraqitur dëshmitari në gjykatë, nëse ai është i padisponueshëm.

Parashtrimet e saj, ZPS-ja i bëri në seancë private për publikun.

Në këtë seancë, të gjithë të akuzuarit ishin prezent në sallën e gjyqit, përveç Jakup Krasniqit i cili po e ndiqte seancën përmes video-lidhjes.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button