Gjykimi për konflikt interesi ndaj Rugovës, gjykata pritet që sot të marrë vendim

 
Gjykata e Pejës pritet që sot të vendosë për çështjen penale ku kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova po akuzohet për Konflikt Interesi.
Haki Rugova akuzohet se në cilësinë e kryetarit të Komunës së Istogut ka nënshkruar kontratë me kompaninë e vëllait të tij, “Ma-Con” sh.p.k. për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë, në vlerë rreth 289 mijë euro.
Aktakuza ndaj Rugovës, ishte ngritur me mars të vitit 2018, e që procesi gjyqësor ka zgjatur më shumë se 3 vjet.
Shpallja e vendimit është caktuar të mbahet në ora 15:00.
Kryetar i trupit gjykues, në rastin e Rugovës është gjykatësi Sami Sharraxhiu, ndërsa aktakuzën e ka përfaqësuar prokurori Ali Uka.
Në seancën e fundit palët kishin dhënë fjalën përfundimtare. Sipas prokurorit Uka, nënshkrimi i kontratës nga ana e kryetarit Rugova i kishte sjellë interes financiar kompanisë së vëllait të tij, Gani Rugovës.
Ndërsa, në anën tjetër sipas mbrojtjes së të akuzuarit Rugova, nënshkrimi i këtij të fundit ishte pa efekt juridik, pasi nuk ka mundësuar hyrjen në fuqi të kontratës.
Avokati Berisha ka deklaruar se bazuar në Ligjin për Prokurimin Publik, për kontratat e mesme nuk ishte e nevojshme nënshkrimi i kryetarit, e që sipas tij kjo kontratë ka qenë e tillë.
“Agjencia Kundër Korrupsionit më 11 gusht 2017, ka pranuar informacionin nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese ‘BIRN’ dhe ‘Interneës Kosova’ ndaj Haki Rugovës për shkak të mundësisë së veprës penale konflikt i interesit”, thuhet në arsyetimin e kallëzimit penal të Agjencisë.
Ai dyshohet se më 1 gusht 2014 në cilësinë e kryetarit të Komunës së Istogut me dashje ka marrë pjesë personalisht në nënshkrimin e kontratës ‘Ndërtimi i kanalizimit fekal në fshatin Cerrcë – Lubozhdë – faza e parë”.
Tenderin për ndërtimin e këtij kanalizimi e fitoi “’MA-CON’ sh.p.k, në pronësi të Gani Rugovës (vëllai i Haki Rugovës), në vlerë prej 289,119.85 euro, duke mundësuar kështu interes financiar për të (Haki Rugovën) dhe personin juridik që ka të bëjë me të.
Rugova është duke u hetuar edhe për një rast tjetër penal pranë prokurorisë së Pejës./kallxo

Back to top button