Gjyshja e patinazhit, që 70 vjet rrëshqet mbi akull

Afër të 80-ve, Babushka e Baikal-it ende patinon me hijeshi mbi tehet origjinale që i ati i saj bëri për të 70 vjet më parë.
Baba Lyuba siç e quajnë me dashuri, kujdeset për katër qen, pesë lopë, dy viça dhe katër pula. Por sa herë që ajo nuk kujdeset për ta, ajo shkon në akull.
Lyubov Morekhodova ka tërhequr vëmendjen mbarëbotërore për aftësitë e saj të patinazhit në liqenin e ngrirë të Siberisë. Por gruaja 79-vjeçare e njohur me dashuri si Ba bushka (që do të thotë gjyshja) e Baikal-it – nuk mund ta kuptojë se për çfarë bëhet fjalë gjithë kjo bujë.
Morekhodova ka rrëshqitur në akull që kur ishte tetë vjeç. Fillimisht, ishte një mënyrë për të shkurtuar ecjen katër kilometra mes shkollës dhe shtëpisë. Me kalimin e viteve, rrëshqitja ka shërbyer si një arratisje paqësore nga stili i saj i palodhur i jetës, transmeton rtv21.tv.
Liqeni Baikal, liqeni më i madh i ujërave të ëmbla në botë për nga vëllimi, përmban afërsisht 23 për qind të ujit sipërfaqësor të botës. Më i madh në sipërfaqe se i gjithë vendi i Belgjikës, me më shumë ujë se të gjithë Liqenet e Mëdha së bashku, temperatura rreth liqenit Baikal mund të bjerë nën minus 50 gradë Celsius në mes të dimrit.
Morekhodova u lind në fshatin Shara-Togot në rajonin e Irkutsk, vetëm disa javë para fillimit të Luftës së Dytë Botërore. Ajo ishte një nga shtatë fëmijët e një babai pylltar dhe një nëne shtëpiake. Kur filloi ndërtimi i digës Irkutsk, familja u zhvendos në qytetin e Khaly. Këtu, Morekhodova u njoh për herë të parë me patinazhin.
Për të përgjysmuar distancën deri në shkollë çdo ditë, ajo doli me një plan për të bërë patinazh përtej liqenit. Por ku mund të blejë ajo një palë patina në Siberinë rurale? Babai i saj gjeti një zgjidhje për t’ia bërë vetë.
“Ai preu dy shirita nga një sharrë çeliku, i futi në dërrasa druri dhe e lidhi drurin me çizmet e saj”, shpjegoi Morekhodova.
Disa vite më vonë, kur ajo u transferua në shkollë me konvikt, ecja nga shtëpia u katërfishua, kështu që përsëri ajo e shkurtoi rrugën duke bërë patinazh.
Për Morekhodova, patinazhi është thjesht një aktivitet i gëzueshëm. Por kur një mikesha e saj postoi një video të saj në akull disa vite më parë, ajo papritmas filloi të merrte telefonata nga e gjithë bota.
E pyetur nëse pushon ndonjëherë, ajo përgjigjet “Sigurisht! Mbrëmjeve kur shikoj TV ose luaj sudoku, ose kontrolloj hartat për të gjetur të gjitha ato vende emocionuese që përmendin në lajme”./21Media

Back to top button