“Goca e Kaçanikut” do të rikthehet në nëntor

Pas 53 vjetësh ekzistence si vepër kombëtare, opera “Goca e Kaçanikut” e kompozitorit Rauf Dhomi u shfaq më 23 Shkurt të këtij viti për herë të parë e inskenuar në tërësi në Kosovë.

Në këtë shfaqje rolin e Pafikës e kishte sopranoja Adelina Paloja.

Sopranja e mirënjohur sot në emisionin “N’Maje t’Gjuhës me Xherin” në RTV21 ka zbuluar se repriza e kësaj opere do të mbahet në nëntor të këtij viti. “Goca e Kaçanikut” pritet të udhëtojë edhe në shtetet fqinje Shqipëri e Maqedoni të Veriut.

“Për shkak të agjendës financiare të themi që i ka Opera dhe Ministria me gjithë përkrahjen që e bën nuk është e mundur në këtë moment me u reprizu sepse duke e ditë atë që nuk kemi sallë, mandej të gjitha po duhet prej zeros: skenografisë, ndriçimit d.m.th nuk e ki ata elementare që duhet dhe ajo kërkon kosto. Po i gëzoj ata që po na përcjellin, në nëntor do të rikthehet”, tha Paloja për RTV21.

Opera ‘Goca e Kaçanikut’

“Goca e Kaçanikut”, operë në dy akte dhe tri tablo, është opera e parë kosovare, e kompozuar nga akademik Rauf Dhomi me libret Ajmone Dhomi dhe Jusuf Buxhovi. Vepra shpalosë luftën kundër pushtuesve osmanë në anën e Kaçanikut dhe dashurinë e dy të rinjve: Trimorit dhe Pafikës.

E krijuar gjysmë shekulli më parë opera “Goca e Kaçanikut”, për herë të parë inskenohet në Kosovë. Por, në Shqipëri kjo vepër është inskenuar në vitin 1979 në TKOB-së në Tiranë.

Akademik Dhomi është një prej kompozitorëve më të njohur në Kosovë. Ai është autori edhe i operave, “Dasma arbëreshe”, “Muzat e Kalasë”, baleti “E bukura More” e shumë vepra tjera muzikore vokalo-instrumentale, korale, orkestrale, etj. e muzikë për filma e shfaqjet teatrale./21Media

Back to top button