Grabitësit tentuan të hyjnë në një banesë, u plagos një 40 vjeçar

 

Sonte rreth orës 20:20 persona të paidentifikuar kanë tentuar të grabisin një banesë në Roskovec, por janë pikasur nga pronari dhe kushëriri i tij, me ç’rast një person ka mbetur i plagosur.

Sipas informacioneve, grabitësit kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të kushërinjve dhe për pasojë ka mbetur i plagosur kushëriri i pronarit të shtëpisë, Arben Çepele, 40 vjeç.

Çepele ndodhet në sallën e operacionit në spitalin e Fierit, teksa ka marrë një plumb në këmbë që mendohet se i ka prekur arterien.

Ndërkohë që, policia ka ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorëve.

“Sot rreth orës 20:20, në Roskovec, persona të paidentifikuar kanë shkuar për të vjedhur në banesën e shtetasit A. Ç, rreth 65 vjeç, por janë pikasur nga pronari dhe kushëriri i tij. Autorët kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të dy kushërinjve dhe për pasojë ka mbetur i plagosur kushëriri i pronarit të shtëpisë, shtetasi  A. Ç, rreth 40 vjeç, i cili ndodhet në spitalin e Fierit nën kujdesin e mjekëve“, ka njoftuar policia.

Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe vijon punën për fiksimin e çdo prove materiale që do shërbejë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve./oranews

Back to top button