Gratë apo burrat përjetojnë më së shumti trauma? Tregon psikoterapeuti për RTV21

Trauma është një reagim emocional përballë një gjendje tmerruese apo shokuese që ndodhë në rastet kur përjetohet ndonjë abuzim, luftë, aksident, ushtrim i dhunës apo edhe ndonjë fatkeqësie natyrore. Pas ngjarjes së përjetuar menjëherë paraqiten reagime si tronditja dhe mohimi. Pra, traumë quhet përjetimi i ngjarjes ndërsa vet ngjarja quhet ngjarje traumatike.
Kështu tha për rtv21.tv, psikoterapeuti i njohur Yll Avdijaj, i cili tha se “përjetimi i traumës zakonisht shoqërohet me reagime afatgjate, ku përfshihen emocione të paparashikueshme, flashbacks (rikthim mbrapa), raporte të tensionuara të shoqëruara edhe me simptoma fizike si kokëdhimbje, probleme me aparatin tretës, mpirje të gjymtyrëve të trupit, rrahje të shpejtuara të zemrës, shkëputje e të tjera”.
“Trauma nuk përzgjedh gjini, moshë apo diçka tjetë, ngjarja traumatike mund ta afektoj secilin individ që ka përjetuar atë. Vetëm mënyra e të përjetuarit të traumës mund të jetë e dallueshme nga idinvidi në individ, e kjo varësisht strukturës së personalitetit të atij individi”, shtoi Avdijaj.
Në momentet kur përjetohet ngjarja traumatike, te personi aktivizohet reagimi ‘lufto ose ikë’, më pas, mund të shoqërohet edhe me reagimet ‘ngriju ose nënshtrohu’. Sipas Avdijajt, pas përjetimit të ngjarjes traumatike, personi konsiderohet i traumatizuar, dhe zakonisht shoqerohet me PTSD (Çrregullimi i stresit post-traumatik).
“Te personat e traumatizuar zakonisht dominon frika apo ankthi i vazhdueshëm, që zakonisht bëhet pengesë në zhvillim, duke afektuar disa dimensione të rëndësishme dhe jetike që lidhen ngushtë me ekuilibrin dhe kualitetin e jetës së atij personi. Trauma, po ashtu mund të afektojë edhe në probleme me gjumin, duke shkaktuar pagjumësi apo gjumë me ëndrra të këqija dhe të frikshme (makthe)”, tha ai.

Psikoterapeuti theksoi se varësisht gjendjes së afektuar nga trauma, po ashtu bëhet edhe trajtimi.
“Nëse flasim për rastet të cilat diagnostikohen me psikoza, e që pas tyre zakonisht fshihen trauma shumë të rënda, normalisht se edhe trajtimi i tyre duhet të jetë me terapi medikamentesh, pra duhet të marrin trajtim psikiatrik, dhe në faza remisioni mund të marrin edhe trajtim psikoterapeutik. Ndërsa te rastet ku trauma është prezente, por që nuk ka bërë ndonjë dëm të madh në aspektin mendor, ku vetëdija është ruajtur, me këta persona zakonisht mund të punohet në një proces psikoterapeutik, në mënyrë që të trajtohen traumat dhe të arrihet që sadopak të lehtësohet gjendja dhe përballimi i tyre”, theksoi Psikoterapeuti.
I pyetur se a ka shumë raste të traumës në Kosovë, Avidjaj tha se sa i përket gjendjes së përgjithshme në Kosovë, për ta ditur një gjë të tillë nevojitet që të zhvillohen hulumtime mirëfillta në këtë aspekt.
“Ne jemi të njoftuar vetëm me rastet të cilat kërkojnë ndihmë nga profesionistët e shëndetit mendor si: psikiatri, psikologët dhe psikoterapistët”, përfundoi Avdijaj./21Media

Back to top button