Greva e organizuar nga SBASHK-u nuk e rritë cilësinë e arsimit

KMDLNj konsideron se kjo grevë, me këto kërkesa dhe me një kushtëzim eksplicit është zgjidhje jo e duhur dhe e ngutshme

Këshilli për mbrojtjen e të Drejtat dhe Lirive të Njeriut- KMDLNj përmes një komunikate për media ka reaguar ndaj grevës së SBASHK-ut.

Ditën e parë të grevës thirrjes për grevë iu përgjigjën të gjithë të punësuarit në këto institucione arsimore duke i kthyer mbrapshtë ata pak fëmijë dhe prindër. Deri më tani këtë grevë e kundërshtoi vetëm Këshilli i Prindërve të cilët, sipas KMDLNj –së, me të drejtë e vlerësojnë se po dëmtohen nxënësit që nuk po i vijojnë mësimet në një mjedis ku arsimi edhe ashtu vlerësohet të jetë i brishtë dhe jo në nivel me vendet e rajonit.

“KMDLNj e mbronë të drejtën e organizimit sindikalist dhe grevën si mundësi për arritjen e qëllimeve për përmirësimin e kushteve të punëtorëve të arsimit, në rast se shterën të gjitha mundësitë tjera e që mund të realizohen përmes dialogut me autoritetet përgjegjëse, në rastin konkret me MASHT-in dhe Qeverinë e Kosovës.

Në rastin konkret, KMDLNj vlerëson se nuk janë shfrytëzuar të gjitha mundësitë e dialogut dhe se greva do të prodhojë efekte negative sidomos për fëmijët parashkollorë dhe nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme si edhe për personelin arsimorë (mësimdhënësit) sikur edhe për prindërit”, është shkruar në komunikatën për media.

Kërcënimi i SBASHK-ut se kjo grevë mund të zgjasë për muaj të tërë, sipas KMDLNj-së, nënkupton se ky vit shkollor mund të jetë i humbur për nxënësit e që do të ishte dëm i madh dhe i pariparueshëm për nxënësit.

“Kërkesa për grevë që mund të zgjasë për muaj të tërë, në fakt është përpjekje të legalizohet kushtëzimi për arritjen e qëllimeve dhe si i tillë është i papranueshëm dhe i dëmshëm. SBASHK-u dhe Qeveria e Kosovës duhet të dialogojnë për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët, gjithnjë duke pasur parasysh mundësitë buxhetore të qeverisë si dhe nevojat e arsyeshme të mësimdhënësve për përmirësimin e statusit të tyre material. Prandaj, KMDLNj konsideron se kjo grevë, me këto kërkesa dhe me një kushtëzim eksplicit është zgjidhje jo e duhur dhe e ngutshme dhe e cila nuk do të garantojë se kërkesat e SBASHK-ut do të përmbushen në masën e kërkuar”, bëhet e ditur në komunikatën e KMDLNj-së.

Pas kësaj greve e cila nuk ka afat të caktuar, KMDLNj pyet se si do të kompensohen orët e humbura. Sipas tyre, ata do të kundërshtojnë fuqishëm kompensimin e këtyre orëve gjatë pushimeve të fundjavës, festave apo pushimeve të parapara sepse nxënësit nuk janë fajtorë për këto humbje dhe përgjegjësia bie mbi ata që kontribuojnë humbjen e orëve përkatësisht mbi SBASHK-un.

Në këtë komunikatë bëhet e ditur se KMDLNj –së i janë drejtuar prindër që i dërgojnë fëmijët me pagesë në çerdhe, duke kërkuar që për aq kohë sa çerdhet nuk ofrojnnë shërbime për fëmijët e tyre, aq kohë të lirohen nga pagesa për çerdhe për faktin që e konsiderojnë se është e padrejtë të paguajnë për shërbime që nuk iu ofrohen.

KMDLNj vlerëson se është nevojë e ngutshme dhe e domosdoshme që të depolitizohet arsimi në të gjitha nivelet, të rritet cilësia e arsimit, të bëhet vlerësimi në bazë të performancës, të bëhen reforma të thella në sistemin arsimorë, të zbatohen praktikat e mira nga shtetet e tjera që janë treguar të dobishme dhe të suksesshme e që deri më tani nuk është kërkuar as nga SBASHK-u e asnga të tjerët.

Të gjitha institucionet arsimore në Kosovë, të të gjitha niveleve nga 14 janari kanë hyrë  në grevë./21Media

 

Back to top button