Sot nis greva e përgjithshme e SBASHK-ut

SBASHK ka paralajmëruar se greva do të zgjasë deri në përmbushjen e kërkesave

Të gjitha institucionet arsimore në Kosovë, nga dita e sotme do të hyjnë në grevë të përgjithshme. Përfaqësues të SBASHK-ut kanë paralajmëruar se greva do të zgjasë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj dje përmes një letre ka apeluar prindërit për mirëkuptim për orët që do t’i humbasin nxënësit duke thënë se ndoshta do të humbasin edhe muaj.

Ndërsa, Këshilltari politik në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Valmir Gashi dje në një prononcim për portalin rtv21.tv, tha se janë kundër grevës. Ai tha se MASHT i bënë apel SBASHK-ut që të mos e pengojnë procesin mësimor.

SBASHK ka njoftuar se do të tërhiqen nga greva vetëm nëse ngritet 30%, koeficienti i mësimdhënësve për paga.

Ndryshe, orari i mbajtjes së grevës së përgjithshme për të gjitha institucionet arsimore fillon çdo ditë nga ora 9:00 deri në orën 12:00.

“Ashtu siç edhe jeni të informuar, përmes mjeteve të informimit por edhe nga kryetarët e sindikatave të institucioneve tuaja, si dhe nga kryetarët e sindikatave të komunave tuaja, Këshilli Drejtues i SBAShK-ut në mbledhjen e vet të datës 10.01.2019, në mënyrë unanime ka marrë vendim që i tërë sistemi arsimor duke i përfshirë Çerdhet, Shkollat Fillore dhe të Mesme të Ulëta, Shkollat të Mesme të Larta dhe Universitetet të fillojnë Grevën e Përgjithshme nga data 14.01.2019, nga ora 9:00 deri 12:00, deri në realizimin e kërkesave.”, bëhet e ditur në postimin e SBASHK-ut në Facebook./21Media

Back to top button