Greva në arsim, Sela: Qeveria po bën rolin e viktimës

Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela thotë se Qeveria e Maqedonisë së Veriut po luan rolin e viktimës pasi Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës refuzoi kërkesën e ekzekutivit për rritje prej 10 të pagave në arsim.
Sela tha se kjo nuk do të ndodhte nëse do të pranohej amendamenti i ASh-së në ligjin për pagën minimale, për rritje lineare të pagave në përgjithësi.
“Mua më duket absurde dhe hipokrizi nga ana e Qeverisë që tani po bëjnë rolin e viktimës se SAShK-u nuk paska pranuar 2500 denarë rritje të rrogave, në ndërkohë që po Qeveria në kohën kur u rrit rroga minimale, e refuzoi në mënyrë të njëanshme, të paskrupullt amendamentin e Aleancës për Shqiptarët që parashihte rritje lineare të rrogave, edhe të arsimtarëve, edhe të administratës, edhe të gjithëve”, tha Sela.
Sela komentoi heqjen e gjuhës shqipe nga faqja e internetit të Qendrës Informative Kulturore, pas emërimit të Antonio Dimitrov si drejtor nga ana e Qytetit të Shkupi. Edhe përkundër se ASh-ja ka postin e nënkryetares në Qytetin e Shkupit, Sela tha se i përket Inspektoratit për Implementimin e gjuhës shqipe që të shqiptojë dënim ndaj drejtorit në fjalë.
“Unë i bëj apel Inspektoratit për Implementimin e gjuhës shqipe që të shkojë dhe ta dënoj atë drejtor, çdo dite dhe sa herë që ai shkel ligjin, jo vetëm atë, por çdo drejtor që shkel ligjin. Unë formë tjetër nuk kam sepse nuk jam kryetar i Qytetit të Shkupit, nëse do të isha, ai nuk do të ishte as 24 orë më në krye të asaj detyre”, deklaroi Sela.
I pyetur se çfarë pritet të ndërmerr nënkryetarja Bujare Abazi në lidhje me këtë çështje, Sela tha se posti i nënkryetares është vetëm funksion ceremonial.
“Është një post ceremonial, i shpikur, për të thënë ja kemi marrë një nënkryetar të Qytetit të Shkupi, jo nga ne, i shpikur në kohën kur në Qytetin e Shkupit menaxhonte BDI-LSDM, për të treguar arritjen e madhe, është pozicion ceremonial që zgjidhet nga këshilltarët, zgjidhet një përfaqësues, vetëm kur nuk është prezent kryetarja që ta zëvendësoje në atë periudhë”, theksoi Sela./TV21

Back to top button